Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë me një mjek serb për shërbime në burg. Mjeku ende nuk ka marr licencë valide në Kosovë, ndërsa nga MSh thonë se shërbimet e tij fillojnë në dhjetor kur pritet të marr licencën.
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë me tre mjekë specialistë për shërbime specialistike për të burgosurit në burgun e Mitrovicës, Gërdovcit dhe në Prishtinë, shkruan Gazeta Shneta.
Për shërbime urologjike në burgun e Mitrovicës, MSh ka kontraktuar mjekun serb D.D. me kontratë 19,872 Euro me kohëzgjatje për 36 muaj. Ndonëse kontrata është nënshkruar, mjeku ende nuk ka licencë valide në Republikën e Kosovës, gjë e cila është një nga kriteret në dosjen e tenderit.
Në kontratën e nënshkruar mes dy palëve, në pjesën e Kushteve të veçanta, pika 6.2 thuhet se “Data e fillimit të shërbimeve ‘Data efektive’ është 09.12.2024”. Me këtë nen është arsyetuar edhe MSh në një përgjigje për Gazetën Shneta. Nga kjo ministri kanë thënë se kur mjeku do të fillojë shërbimet, do të ketë licencën valide.
“Askush nuk mund të ofroj shërbime shëndetësore pa licencë. Sa i takon rastit, për të cilin është bërë pyetja, shërbimi fillon të ofrohet në muajin dhjetor të vitit 2024 , natyrisht me licencë valide”, kanë deklaruar nga MSh.
Në anën tjetër Oda e Mjekëve të Kosovës kanë konfirmuar se mjeku D.D. nuk posedon licencë, por kanë deklaruar se ai tashmë ka iniciuar kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë.
“Personi në fjalë nuk është anëtar i Odës së Mjekëve të Kosovës dhe nuk posedon licencë të lëshuar nga OMK. Sipas evidencës tonë i apostrofuari ka aplikuar për anëtarsim në OMK me date 16 Korrik 2024 dhe posedon licencë të Republikës së Serbisë”, kanë deklaruar nga OMK.
Ndryshe MSh ka kontraktuar edhe dy mjekë të tjerë. Për shërbime të psikiatrisë për burgun në Gërdovc është kontraktuar Dr. Arlinda Ajdini, ndërsa për të njëjtat shërbime në Prishtinë Dr. Tringë Krasniqi-Tahiri. Të dy mjeket do të paguhen me nga 13,248 Euro për shërbime me kohëzgjatje për 3 vite. /Gazeta Shneta/




