Nëntë profesionistë shëndetësorë kanë përfunduar me sukses trajnimin e akredituar 20-ditor për Elektromioneurografi (EMNG), duke shënuar një avancim të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve diagnostikuese për parandalimin dhe trajtimin e ndërlikimeve të neuromiopatisë te pacientët me diabet në Kosovë.
Trajnimi u mbajt në Spitalet e Përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës dhe u akreditua nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Në të morën pjesë neurologë nga SP Peja dhe SP Gjakova, profesionistë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), si dhe infermierë nga Gjakova dhe QKUK, përcjell Gazeta Shneta.
Programi u zhvillua nga Dr. Dren Boshnjaku dhe Prof. Dr. Vera Kukaj, ekspertë të njohur të fushës, dhe synoi zgjerimin e përdorimit të EMNG-së për diagnostikim më të hershëm të ndërlikimeve që lidhen me sëmundjet kronike jongjitëse.
Dr. Dren Boshnjaku falënderoi Projektin IHS për mbështetjen, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndihmuar në zhvillimin e shërbimeve të reja në spitalet e Pejës dhe Gjakovës, si dhe në forcimin e kapaciteteve të Klinikës së Neurologjisë në QKUK, në funksion të përmirësimit të cilësisë së kujdesit për pacientët.
Profesionistët që përfunduan trajnimin janë: Dr. Valon Shala, Dr. Shefqet Shala, Dr. Ilire Zajmi Pozhari, Dr. Granit Xhiha, Dr. Fatlum Azizi, Dr. Adnan Biqku, Dr. Gentian Lila, si dhe infermierët Butrint Stavileci dhe Lumnije Maloku./Gazeta Shneta/




