Foshnja e cila u braktis nga nëna e saj në Spitalin e Pejës po trajtohet në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Drejtori i kësaj klinike ka folur për gjendjen shëndetësore të bebes.
“Rasti është pranu me datën 20 maj, ora 20:50 minuta, është ardhë transfer nga spitali regjional i Pejës, me përcjellje të infermierës me përcjellje me oksigjen në inkubator. Foshnja është e gjinisë mashkullore, peshon 1200 gramë është e lindur para kohës. Është 35 javëshe… pra edhe pesha më e vogël, kjo shkakton probleme shëndetësore te kjo foshnje. Menjëherë është pranu në kujdesin intensiv të klinikës së neonatologjisë”, tha Gojnovci për Gazetën Express.
Doktori tha se foshnja po trajtohet në kujdesin intensiv, në inkubator. “Foshnja trajtohet në kujdesin intensiv, në inkubator, me antibiotikë dhe në kujdesin e infermiereve”, tha Gojnovci.
Policia po vazhdon ta kërkojë gruan, e cila gjatë kohës sa doktorët në Spitalin e Pejës po ia kontrollonin beben, e la dhe iku. Gruaja e ka lindur foshnjën në shtëpi dhe pas lindjes nuk ia ka lidhur mirë kërthizën, nga çka i është shkaktuar gjakderdhje. Bebja e gjinisë mashkullore, që ka lindur para kohës, aktualisht ndodhet në kujdesin intensiv- në inkubator, në klinikën e neonatologjisë në QKUK.
Një bebe është braktisur të hënën nga nëna e saj. Ngjarja ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku gjatë kontrollit të foshnjës ajo ka ikur. Veprimet e kësaj nëne janë filmuar nga kamerat e sigurisë së spitalit përmes së cilave policia dhe prokuroria po shpresojnë që t’ia zbulojnë më shpejt identitetin.
Deri më tani hetuesia nuk i ka rënë në gjurmë asaj. Nga Prokuroria e Pejës thonë se po punohet intensivisht për ta gjetur nënën që e la foshnjën dhe iku. Foshnja aktualisht gjendet në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. /Express