Policia po vazhdon ta kërkojë gruan, e cila gjatë kohës sa doktorët në Spitalin e Pejës po ia kontrollonin beben, e la dhe iku. Gruaja e ka lindur foshnjën në shtëpi dhe pas lindjes nuk ia ka lidhur mirë kërthizën, nga çka i është shkaktuar gjakderdhje. Bebja e gjinisë mashkullore, që ka lindur para kohës, aktualisht ndodhet në kujdesin intensiv- në inkubator, në klinikën e neonatologjisë në QKUK.
Një bebe është braktisur të hënën nga nëna e saj. Ngjarja ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku gjatë kontrollit të foshnjës ajo ka ikur. Veprimet e kësaj nëne janë filmuar nga kamerat e sigurisë së spitalit përmes së cilave policia dhe prokuroria po shpresojnë që t’ia zbulojnë më shpejt identitetin.
Deri më tani hetuesia nuk i ka rënë në gjurmë asaj. Nga Prokuroria e Pejës thonë se po punohet intensivisht për ta gjetur nënën që e la foshnjën dhe iku. Foshnja aktualisht gjendet në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. /Express