Sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore “Neurologji”skleroza e shumëfishtë mund të lidhet me mbipeshën në fëmijëri. Studime të tjera në të kaluarën kishin identifikuar se mbipesha në moshë të vogël ka më shumë gjasa të shkaktojë sklerozë të shumëfishtë kur fëmijët rriten.
Një sëmundje degjeneruese
Skleroza e shumëfishtë, është një sëmundje degjenerative që përfshin dëmtimin në zona të ndryshme të sistemit nervor qendror, duke shkaktuar lëndime serioze. Procesi evoluon duke kaluar nga një fazë inflamatore fillestare në një kronike, nga e cila rrjedh fjala “sklerozë”. Shkaqet e kësaj sëmundjeje janë pjesërisht ende të panjohura, por studimet tregojnë një kombinim të faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.
Një fëmijë nga 4 është mbipeshë
Mbipesha e fëmijëve është një problem shoqëror që prek mesatarisht një në katër fëmijë në vendet perëndimore. Shkaku kryesor është dieta e tepruar dhe e varfër, e lidhur ngushtë me aktivitetin e dobët motorik dhe faktorët gjenetikë. Sipas McGill University në Montreal, Kanada, skleroza e shumëfishtë mund t’i atribuohet lidhjes me indeksin e masës trupore. Studiuesit kanë ekzaminuar 329,245 gra dhe 372 variante gjenetike të lidhura me moshën e ciklit të parë menstrual. Pastaj ata konsideruan një tjetër studim me 14,082 pjesëmarrës me sklerozë të shumëfishtë dhe 26,703 të shëndetshëm, për të parë nëse mosha e pubertetit mund të shoqërohet me një probabilitet më të madh të sëmundjes.
Nevojiten studime të mëtejshme
Analiza e rezultateve tregoi se zhvillimi i hershëm është i lidhur me një rrezik më të madh të sklerozës së shumëfishtë, një lidhje e kushtëzuar nga masa e yndyrës trupore në kohën e zhvillimit. Por, siç shpjegon J. Brent Richards, autori i parë i studimit, hulumtime të mëtejshme janë të domosdoshme për të kuptuar nëse humbja e kileve në fëmijëri mund të kontribuojë në reduktimin e rrezikut të zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë kur të rriten.
Ta dini!
Simptomat e sklerozës së shumëfishtë janë dobësia e muskujve, spasticiteti, dhimbja, dridhjet, çrregullimet e të folurit, përqendrimi dhe kujtesa, ndryshime në ndjeshmëri dhe mpirja.