Një lloj i gripit të shpendëve që është transmetuar nga kafshët te njerëzit në SHBA mund të përhapet në Evropë, paralajmërojnë shkencëtarët e BE-së.
Sipas raportit të Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), rreziqet më të mëdha janë nga tregtia BE-SHBA me produkte të qumështit të papërpunuar dhe lëvizja e shpendëve të egër, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Gripi i shpendëve ka shënuar rritje në pesë vitet e fundit në gjithë botën, përfshirë Evropën, duke prekur edhe kafshë si dhelprat dhe macet. Zyrtarët evropianë janë veçanërisht të shqetësuar për shpërthimin e variantit H5N1 në lopët qumështore në SHBA, që u transmetua edhe te njerëzit, duke infektuar 70 persona dhe duke shkaktuar një vdekje.
Edhe pse nuk ka dëshmi për transmetim nga njeriu te njeriu dhe virusi nuk është zbuluar në BE, ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk kontrollohet, virusi mund të pësojë mutacione që e bëjnë më të transmetueshëm mes njerëzve.
EFSA vlerësoi se një nga rrugët e mundshme të përhapjes është migrimi sezonal i shpendëve, të cilët mund ta sjellin virusin në vende si Islanda, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Skandinavia Perëndimore dhe zonat bregdetare të Gjermanisë, Danimarkës e Holandës.
Një tjetër rrisk është tregtia me SHBA-në. Prej vitit 2023, BE ka importuar 889 ton qumësht dhe krem dhe 10 ton djathë të freskët që mund të mos kenë kaluar trajtim termik të mjaftueshëm.
Edhe pse importohen rreth 20,000 ton mish viçi nga SHBA çdo vit, rreziku nga ky burim mbetet i ulët.
Megjithatë, EFSA thekson se ka ende pasiguri në të dhënat amerikane dhe do të vazhdojë monitorimin dhe rekomandimet për parandalimin e hyrjes së virusit në BE. /Gazeta Shneta/




