Ngrënia e djathit të paktën një herë në javë mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, sugjeron një studim i ri i realizuar në Japoni.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën Nutrients, të moshuarit që konsumonin rregullisht djathë kishin 24 për qind më pak gjasa të zhvillonin demencë gjatë një periudhe trevjeçare, krahasuar me ata që nuk e konsumonin fare.
Ekspertët theksojnë se djathi përmban proteina, aminoacide thelbësore dhe vitamina si K2, të cilat ndihmojnë shëndetin e trurit dhe qarkullimin e gjakut, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Po ashtu, produktet e fermentuara si djathi mund të ndikojnë pozitivisht në inflamacion dhe në lidhjen midis zorrëve dhe trurit.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet janë vetëm vëzhguese dhe nuk provojnë se djathi e parandalon drejtpërdrejt demencën, pasi faktorë të tjerë si gjenetika dhe stili i jetesës mund të kenë ndikim.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 50 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me demencë në vitin 2021, ndërsa ky numër pritet të trefishohet deri në vitin 2050./Gazeta Shneta/


