Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kanë filluar punimet për rregullimin e plotë të sistemit të kanalizimit fekal dhe atmosferik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Projekti, i cili kap vlerën e 1.3 milionë eurove, synon të zgjidhë përfundimisht një ndër problemet më të mëdha infrastrukturore që e ka shoqëruar këtë institucion që nga vitet ’60, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, sistemi aktual i kanalizimit nuk ka pësuar asnjë ndërhyrje domethënëse për më shumë se gjysmë shekulli, duke shkaktuar përmbytje të bodrumeve në disa klinika gjatë dekadave të fundit.
Ky projekt është planifikuar të zgjasë tre vjet dhe do të përfshijë modernizimin e tërësishëm të rrjetit të kanalizimit, me synimin për të krijuar kushte më të sigurta, më të shëndetshme dhe më funksionale për klinikat dhe stafin shëndetësor në QKUK.
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se ky investim do të eliminojë një sfidë shumëvjeçare infrastrukturore dhe do të përmirësojë dukshëm funksionalitetin e institucionit më të madh shëndetësor në vend.


