Ambasada e Suedisë në Kosovë ka ndarë me krenari lajmin për arritjen e lartë të kosovares, Nita Mulliqit, e cila ka përfunduar me sukses studimet e doktoraturës në Institutin Karolinska në Stokholm – një ndër institucionet më prestigjioze në botë në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor.
Tema e kërkimit të saj u përqendrua në zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale për diagnostikimin dhe gradimin e kancerit të prostatës nga biopsitë digjitale.
Sipas ambasadës, modeli i zhvilluar nga Dr. Mulliqi pritet të zbatohet në praktikën klinike në disa spitale nordike, me qëllim që të ndihmojë patologët dhe të sigurojë një diagnostikim më të saktë dhe të standardizuar të kësaj sëmundjeje.
“Dr. Mulliqi është një shembull frymëzues i përkushtimit, talentit dhe kontributit të rinisë sonë në shkencë dhe inovacion,” thuhet në njoftimin e ambasadës. /Gazeta Shneta/




