Konsumimi i moderuar i lëngjeve 100 për qind natyrale nga frutat dhe perimet mund të sjellë përfitime shëndetësore, por ekspertët paralajmërojnë se sasia është vendimtare.
Lëngjet e frutave janë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz – nga një gotë lëng portokalli në mëngjes, te lëngu i mollës për fëmijët apo përdorimi i tyre në pije të ndryshme. Sipas nutricionistëve, një gotë e vogël në ditë, rreth 150 mililitra, mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme, nëse bëhet fjalë për lëngje 100 për qind natyrale, pa sheqer të shtuar.
Studimet tregojnë se këto lëngje mund të ofrojnë vitamina, kalium, magnez dhe polifenole – mikronutrientë me veti antioksiduese që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe mbrojtjen nga sëmundjet kronike. Megjithatë, ekspertët vazhdojnë të rekomandojnë konsumimin e frutave të plota, pasi lëngjet përmbajnë më shumë sheqer dhe mungesë fibre, gjë që mund të ndikojë negativisht në shëndetin e dhëmbëve dhe nivelin e sheqerit në gjak.
Cilët lëngje ofrojnë më shumë përfitime?
Lëngjet e agrumeve (portokall dhe limon):
Lëngu i portokallit është i pasur me vitaminë C dhe ndihmon sistemin imunitar. Studime të fundit sugjerojnë se mund të ulë inflamacionin dhe tensionin e lartë të gjakut, por vetëm në sasi të moderuara. Konsumi mbi 500 ml në ditë nuk sjell përfitime shtesë. Ndërkohë, lëngu i limonit është lidhur me uljen e presionit të gjakut dhe përmirësimin e tretjes.
Lëngu i shegës:
Konsiderohet një nga lëngjet me provat më të forta shkencore për përfitime shëndetësore, falë përmbajtjes së lartë të polifenoleve. Efektet pozitive vërehen në doza të vogla, deri në 200 ml në ditë.
Lëngu i panxharit:
I pasur me nitrate natyrore që ndihmojnë relaksimin e enëve të gjakut, ky lëng ka treguar efekte pozitive te personat me hipertension, gratë pas menopauzës dhe atletët. Për shkak të përmbajtjes më të ulët të sheqerit, konsumi deri në 500 ml në ditë mund të jetë i dobishëm.
Lëngu i boronicës së kuqe (cranberry):
I njohur për parandalimin e infeksioneve të traktit urinar, falë përbërësve që pengojnë ngjitjen e baktereve në fshikëz. Studimet tregojnë ulje të rrezikut për UTI deri në 30 për qind. Efektet arrihen vetëm me lëng 100 për qind natyral dhe pa sheqer.
Lëngu i kumbullës së thatë (prune):
Ndihmon tretjen dhe lehtëson kapsllëkun, por për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit, rekomandohet të mos tejkalohet sasia prej 150 ml në ditë.
Lëngu i boronicës (blueberry):
I pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale, është lidhur me përfitime për shëndetin e zemrës dhe trurit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se frutat e plota janë zgjedhja më e mirë.


