Shkencëtarët nga Qendra Kombëtare e Kërkimeve Mjekësore mbi Hematologjinë dhe Universiteti Shtetëror i Moskës Lomonosov, kanë zbuluar një nga mekanizmat e mundshëm patogjenetik të limfopenisë së rëndë te pacientët me COVID-19.
Për herë të parë, ata paraqitën prova të mundësisë së infeksionit të drejtpërdrejtë të limfociteve me variantin SARS-CoV-2, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Limfocitet janë qelizat kryesore të sistemit imunitar. Limfopenia e thellë (≤1000/µl) është vërejtur në 96% të pacientëve me sëmundje të rëndë dhe në 80% të pacientëve me COVID-19 të moderuar.
Patogjeneza e limfopenisë në pacientët me COVID-19 nuk është kuptuar plotësisht dhe përbëhet nga më shumë se 10 mekanizma të mundshëm duke përfshirë përhapje ekstrapulmonare dhe efekte të drejtpërdrejta të SARS-CoV-2 në indet e organeve limfoide.
“Objektivi i studimit ishte të vlerësonte ngarkesën virale dhe modelet e përhapjes së SARS-Cov-2 në mushkëri, nyjet limfatike mediastinale dhe shpretkën e pacientëve me limfopeni të lidhur me COVID-19”, tha Dr. Igor Babichenko, shef i departamentit të anatomisë patologjike në Universitetin Shtetëror të Moskës.
Shkencëtarët kryen një ekzaminim mikroskopik të nivelit molekular – gjenetik, imunohistokimik dhe elektronik të indeve të mushkërive, nyjeve limfatike mediastinale që shtrihen përgjatë rrugës së rrjedhës limfatike nga mushkëritë dhe shpretkës së 36 pacientëve që vdiqën nga COVID-19.
Ata zbuluan se në 63,8% të rasteve, limfopenia u zbulua me një nivel limfociti nën vlerën kritike prej 1 milion qeliza për ml gjak.
Gjendja e qelizave në këta pacientë tregonte bronkopneumoni (inflamacion akut të mureve të bronkiolave) dhe sindromën e shqetësimit akut të frymëmarrjes (ARDS) në fazën proliferative kur mushkëritë janë duke u rikuperuar (por gulçimi dhe simptomat e tjera vazhdojnë).
Në 58.4% të pacientëve, SARS-CoV-2 u zbulua në mushkëri, nyjet limfatike dhe shpretkë me një mesatare virale prej 12,116 në mushkëri, 832 në nyjet limfatike dhe 71.5 në shpretkë. Kjo korrespondon me fazën eksudative të ARDS, kur kapilarët pulmonar dhe alveolat dëmtohen, shkëmbimi i gazit prishet.
Analiza imunohistokimike treguan praninë e virusit në makrofagët pulmonar, qelizat epiteliale të bronkiolave dhe alveolat. Gjatë studimeve mikroskopike elektronike, shkencëtarët për herë të parë arritën të vërtetojnë mundësinë e infeksionit të drejtpërdrejtë të limfociteve me grimcat SARS-CoV-2, të cilat mund të shkaktojnë zhvillimin e limfopenisë për shkak të apoptozës masive të limfociteve, të përshkruar më parë në SARS-CoV dhe infeksionet MERS-CoV.
“Përhapja ekstrapulmonare e SARS-CoV-2 në indet e organeve limfatike ndodh gjatë fazës eksudative të ARDS. Ajo shoqërohet me një periudhë më të shkurtër qëndrimi në kujdesin kritik intenstiv dhe ngarkesë më të lartë të virusit SARS-CoV-2 në indet e mushkërive në krahasim me pacientët me përhapje të SARS-CoV-2 të kufizuar në mushkëri.
Gjetja e një limfociti të infektuar me grimca SARS-COV-2, të cilën ne zbuluam fillimisht, mund të tregojë se SARS-COV-2 mund të nxisë limfopeninë përmes efektit të mundshëm të drejtpërdrejtë citotoksik” shtoi Dr. Babichenko.
Artikulli u botua në revistën Viruses. /Gazeta Shneta/