Zhvilluesit e saj thonë se është pajisja e parë që nuk ka nevojë të implantohet te pacienti.
Një pajisje e re mund t’i ndihmojë pacientët që kanë humbur lëvizjen në duar dhe krahë të rifitojnë atë funksion, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta,
Prova të tjera që synojnë të ndihmojnë pacientët me lëndime të shtyllës kurrizore duke përdorur stimulimin elektrik kërkonin pajisje të implantuara në trupin e pacientit.
Pajisja e re ARC-EX e shpikur nga studiuesit në Ecole Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL) dhe Universitetin e Uashingtonit, mund të mvishet nga jashtë dhe ishte pjesë e një prove që përfshin 65 pacientë në SHBA dhe një në Skoci.
Me elektroda të vendosura pranë palcës kurrizore të qafës, pajisja është projektuar për të dërguar një rrymë të fuqishme elektrike në palcën kurrizore për të rivendosur funksionin e krahut dhe të dorës.
Melanie Reid, një gazetare në Mbretërinë e Bashkuar që mori pjesë në një provë klinike të pajisjes, u paralizua pasi ra nga kali, 14 -vjet më parë.
Ajo thotë se rifitimi i lëvizshmërisë dhe forcës në duar është “gjithçka që dëshironi vërtet” për një person me lëndime të shtyllës kurrizore.
Pas përdorimit të pajisjes ARC-EX për disa muaj, ajo raporton më shumë forcë dhe lëvizshmëri në dorën e saj të majtë.
Rryma elektrike që iu dha pacientëve ishte pesë herë më e fortë se sa do të jepej normalisht në trajtim.
“Stimulimi i përdorur në këtë studim përdori një formë vale me frekuencë shumë të lartë dhe që na lejon të kalojmë rreth pesë herë më shumë rrymë përmes lëkurës për të aktivizuar palcën kurrizore”, tha Chet Moritz, një inxhinier nervor dhe fiziolog në Universitetin e Uashingtonit.
“Stimulimi me frekuencë të lartë mpiu lëkurën nën elektroda në mënyrë që njerëzit të mund ta toleronin lehtësisht atë rrymë stimulimi pesëfish më të lartë,” shtoi ai.
Studiuesit shpresojnë se pacientët do të jenë në gjendje ta përdorin pajisjen në shtëpi në mënyrë të vazhdueshme për të ruajtur dhe përmirësuar lëvizjen në gjymtyrët e tyre.
Një raport mbi provat është publikuar në “Nature Medicine”. Studiuesit e përfshirë në prova klinike kanë krijuar një kompani për të zhvilluar dhe tregtuar pajisjen stimuluese. /Gazeta Shneta/


