Një studim i ri sugjeron se një përbërës kimik i pranishëm në çokollatën e zezë mund të ketë efekte kundër plakjes. Teobromina, një substancë natyrore që gjendet në kokrrat e kakaos, është lidhur me shenja të plakjes biologjike më të ngadaltë, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore “Aging”.
Studiuesit zbuluan se personat me nivele më të larta të theobrominës në gjak kishin një moshë biologjike më të ulët se mosha e tyre kronologjike. Mosha biologjike tregon se sa “i vjetër” duket trupi bazuar në shëndetin dhe funksionimin e tij, duke reflektuar ndikimin e stilit të jetesës, mjedisit dhe faktorëve gjenetikë, jo vetëm kalimin e viteve, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 509 pjesëmarrës në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1,160 në Gjermani. Shkencëtarët matën plakjen biologjike përmes ndryshimeve kimike në ADN, të njohura si metilim, si dhe duke vlerësuar gjatësinë e telomereve – struktura mbrojtëse në fund të kromozomeve.
Telomeret më të shkurtra lidhen me plakje më të avancuar dhe sëmundje të lidhura me moshën.
Sipas autores kryesore të studimit, Jordana Bell nga “King’s College London”, këto gjetje ndihmojnë në kuptimin se si ushqimet e përditshme mund të ofrojnë të dhëna për një jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë, pa sugjeruar domosdoshmërisht rritje të konsumit të çokollatës së zezë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nevojiten studime të mëtejshme.
Sipas Dimitrios Koutoukidis nga Universiteti i Oksfordit, nuk është e qartë se si ndryshimi i konsumit të çokollatës ndikon drejtpërdrejt në shëndet, sidomos duke marrë parasysh sheqerin dhe yndyrnat që ajo përmban. Prandaj, çokollata e zezë këshillohet të konsumohet me masë. /Gazeta Shneta/


