Një studim i ri ka vënë në pikëpyetje bindjen tradicionale se bllokimi i arterieve të mëdha është shkaku kryesor i një forme të zakonshme të goditjes në tru, të njohur si goditja lakunare.
Studiuesit thonë se dëmtimi i enëve të vogla të gjakut brenda trurit mund të jetë faktori kryesor që shkakton këtë problem serioz shëndetësor, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Goditja lakunare është një lloj i goditjes ishemike, që ndodh kur furnizimi me gjak në tru pengohet. Kjo formë prek pjesët e thella të trurit dhe lidhet me sëmundjen e enëve të vogla cerebrale.
Deri më tani, mjekët e kanë trajtuar njësoj si format e tjera të goditjes në tru, duke u fokusuar kryesisht në parandalimin e bllokimit të arterieve nga yndyrat dhe mpiksjet e gjakut.
Në studim u analizuan 229 pacientë me goditje në tru. Rezultatet treguan se ngushtimi i arterieve të mëdha nuk kishte lidhje me goditjen lakunare.
Në vend të kësaj, zgjerimi dhe zgjatja e enëve të vogla të gjakut në tru u lidhën ngushtë me këtë lloj goditjeje dhe me dëmtimet e enëve të vogla cerebrale.
Pacientët me këto ndryshime kishin katër herë më shumë gjasa të kishin pësuar goditje lakunare. Gjithashtu, shumë prej tyre zhvilluan edhe “goditje të heshtura”, dëmtime të vogla në tru pa simptoma të dukshme.
Ekspertët thonë se këto gjetje tregojnë nevojën për trajtime të reja që fokusohen tek dëmtimi mikrovaskular në tru dhe jo vetëm tek hollimi i gjakut apo ulja e kolesterolit.
Kjo mund të ndryshojë mënyrën se si parandalohet dhe trajtohet kjo formë e zakonshme e goditjes në tru. /Gazeta Shneta/


