Një hulumtim i fundit i prezantuar në kongresin e Shoqatës Radiologjike të Amerikës së Veriut ka zbuluar një lidhje të drejtpërdrejtë midis obezitetit, veçanërisht yndyrës viscerale, dhe rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Sipas studiuesve, rritja e përqindjes së yndyrës viscerale e cila grumbullohet rreth organeve të brendshme lidhet me praninë e proteinave jonormale në tru, si pllakat amiloide dhe grumbullimet tau, që janë shenja kryesore të sëmundjes së Alzheimerit. Ky korrelacion është vërejtur edhe te njerëzit e moshës së mesme që ende nuk shfaqin deficite njohëse, shkruan Healthline, transmeton Gazeta Shneta.
Rezistenca ndaj insulinës dhe nivelet e ulëta të kolesterolit HDL (“kolesteroli i mirë”) lidhen me përkeqësimin e funksionit të trurit. Nivelet e larta të yndyrës viscerale ndikojnë negativisht në qarkullimin e gjakut në tru, duke rritur rrezikun e dëmtimeve neurologjike.
“Kjo punë mund të ketë një ndikim të madh në shëndetin publik,” tha Cyrus A. Raji, një nga autorët e studimit. Ai theksoi se trajtimet që synojnë reduktimin e yndyrës viscerale – përmes ndryshimeve në stilin e jetës, ushtrimeve fizike, ose medikamenteve për humbjen e peshës – mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut në tru dhe të zvogëlojnë rrezikun e Alzheimerit.
Për të ulur rrezikun:
Ushqehuni shëndetshëm, duke shmangur ushqimet e përpunuara dhe yndyrnat e pashëndetshme.
Ushtroni rregullisht për të reduktuar yndyrën viscerale dhe për të përmirësuar qarkullimin e gjakut.
Mbani nën kontroll nivelin e insulinës dhe kolesterolit përmes një stili jetese aktiv dhe, nëse është e nevojshme, ilaçeve.
Hulumtimi thekson rëndësinë e ndërhyrjeve të hershme për të parandaluar demencën dhe sëmundjet neurodegjenerative që lidhen me obezitetin./ Gazeta Shneta/


