Me kalimin e viteve, rutina e përditshme bëhet më e ngarkuar dhe energjia shpesh bie, gjë që e bën më të vështirë ruajtjen e një programi të rregullt ushtrimesh. Megjithatë, ekspertët theksojnë se aktiviteti fizik mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për shëndetin në çdo moshë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar në javë, ose 75 minuta aktivitet intensiv. Edhe pse kjo mund të duket sfiduese, çelësi nuk është përsosmëria, por vazhdimësia.
Sipas specialistëve, koha më e mirë për ushtrime është ajo që i përshtatet ritmit tuaj jetësor dhe që mund ta mbani rregullisht.
Disa njerëz ndihen më energjikë në mëngjes, ndërsa të tjerë arrijnë performancë më të mirë pasdite ose në mbrëmje. Nëse ndiheni më të kthjellët, më të fortë dhe më të motivuar në një periudhë të caktuar të ditës, ajo mund të jetë koha ideale për ju, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ushtrimet në mëngjes shpesh ndihmojnë në krijimin e disiplinës dhe përmirësimin e metabolizmit, ndërsa ato në orët e vona të ditës mund të sjellin forcë dhe koordinim më të mirë për shkak të temperaturës më të lartë të trupit dhe gatishmërisë muskulore.
Nëse jeni të lodhur, mos e anuloni menjëherë aktivitetin. Edhe një ecje 10-minutëshe, stretching ose ushtrime të lehta mund të bëjnë diferencë. Shpesh lodhja mendore largohet sapo filloni të lëvizni.
Për të ruajtur motivimin, vendosni objektiva realistë, zgjidhni aktivitete që ju pëlqejnë dhe planifikoni ushtrimet si pjesë të orarit ditor. Mbani mend se çdo lëvizje ka vlerë.
Mesazhi kryesor është i thjeshtë: nuk ka kohë perfekte për ushtrime. Koha më e mirë është ajo kur ju mund të jeni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të angazhuar rregullisht. /Gazeta Shneta/


