Sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, Nazmia ftoi vjehrrën e saj për t’i kërkuar falje pasi nuk është sjellë me të ashtu siç është sjellë ajo.
“Jam e martuar me tre fëmijë, dy djem të martuar me dy nuse të mrekullueshme që më kanë dhuruar një nip dhe një mbesë dhe vajzën. Një djalë e kam në shtëpi, ndërsa tjetrin e kam në Itali, nusja që jeton me mua më ka sjellë këtu sot. Atë që ka bërë ajo për mua unë s’ja kam bërë vjehrrës. Më dukej normale që i flisja vjehrrës kur doja, bëja çfarë doja, e takoja kur doja.
Gjithmonë e kam dashur, por asnjëherë nuk e kam shprehur. Unë jam martuar në vitin 1985-së dhe kam jetuar me burrin në Tiranë, në 97-ën ata vijnë nga Librazhdi për të jetuar në Tiranë. Shita shtëpinë që kisha dhe u zhvendosa tek vjehrra, jetuam bashkë 13 veta në një shtëpi sa të ndërtonim shtëpinë e re. Unë isha mësuar që bëja çfarë doja, kisha jetën time.
Më thërriste bijë, unë vjehrrë. Nëse i kam sot borxh një njeriu, respekt dhe dashuri sot është vetëm vjehrra ime. Ajo ka pasur probleme, nuk e mendoja që e përjetonte kaq keq, i thoja ti je aktore. Zëri im dëgjohej deri poshtë. Në pozicionin që jam sot e kuptoj vjehrrën time,” tregoi Nazmia.
Vjehrra e Nazmies, Xhemilja erdhi në studio dhe ishte shumë e lumtur që dikush e kishte ftuar.
“Përshëndetje vjehrrë! Më the 50 emra dje, por emrin tim nuk e përmende. Unë të kam dashur gjithmonë siç të kanë dashur të gjithë, por ndoshta nuk ta kam shprehur. Kam ardhur këtu për të kërkuar falje për çdo gjë që të kam shkaktuar në jetë ty. Do të kërkoj falje për ato lot që ke derdhur për mua, për puthjet që s’ti kam kthyer kurrë. Ti asnjëherë nuk ke gabuar, je ndër ata pak persona që ke hyrë në zemrën time dhe s’ke dal asnjëherë. Ti je nëna ime për mua”, i tha Nazmia vjehrrës.
“Edhe ti je goca ime! Edhe unë të dua shumë”, i tha Xhemilja nuses.