Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar versionet e reja të Listës së Barnave Esenciale (EML) dhe të Barnave Esenciale për Fëmijë (EMLc), duke përfshirë trajtime të rëndësishme për kancerin, diabetin dhe obezitetin.
Në total, komiteti i ekspertëve shqyrtoi 59 aplikime dhe vendosi të shtojë 20 barna të reja në EML, 15 në EMLc dhe indikacione të reja për shtatë barna ekzistuese, shkruan Healthday transmeton Gazeta Shneta.
Ndër barnat më të rëndësishme të shtuara janë agonistët e receptorit GLP-1 – semaglutide, dulaglutide, liraglutide – si dhe kombinimi GLP-1/GIP tirzepatide, të cilët kanë treguar përfitime të dukshme për pacientët me diabet të tipit 2, duke përmirësuar kontrollin e glukozës, ulur rrezikun për zemrën dhe veshkat, si dhe ndihmuar në humbjen e peshës.
Për trajtimin e kancerit, në listë është shtuar pembrolizumab për disa lloje kanceresh metastatike, ndërsa atezolizumab dhe cemiplimab janë rekomanduar si alternativa për kancerin metastatik të mushkërive. Ekspertët nënvizojnë se përfshirja e këtyre imunoterapive synon të rrisë barazinë në qasjen ndaj trajtimit të kancerit në mbarë botën.
OBSH thekson se sigurimi i aksesit të barabartë në barna esenciale kërkon bashkëpunim ndërsektorial dhe angazhim të fortë politik, në mënyrë që kostot e larta të mos mbeten barrë për pacientët./Gazeta Shneta/


