Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për rritjen e shpejtë të obezitetit te fëmijët dhe ka bërë thirrje që vendet në mbarë botën të reformojnë ushqimin në shkolla, duke krijuar mjedise më të shëndetshme ushqimore për nxënësit.
Sipas OBSH-së, aktualisht një në dhjetë fëmijë në nivel global jeton me obezitet, një shifër që po vazhdon të rritet dhe që po kërcënon shëndetin e brezave të ardhshëm.
Në udhëzimet e reja globale, OBSH thekson se ushqimi që fëmijët konsumojnë gjatë ditës shkollore ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në të nxënit, por edhe në shëndetin e tyre afatgjatë, shkruan Euronews, përcjell Gazeta Shneta.
Për këtë arsye, agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetësinë u bën thirrje qeverive të adoptojnë një qasje gjithëpërfshirëse në shkolla, duke siguruar që ushqimet dhe pijet e ofruara, si brenda institucioneve arsimore ashtu edhe në mjedisin përreth tyre, të jenë të shëndetshme dhe ushqyese.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se vendosja e bazave të shëndetshme ushqimore në shkolla është thelbësore për parandalimin e sëmundjeve kronike në të ardhmen dhe për krijimin e një shoqërie më të shëndetshme.
Ai ka theksuar se mënyra se si ushqehen fëmijët sot do të ketë pasoja gjatë gjithë jetës së tyre.
Sipas të dhënave të OBSH-së, në vitin 2025 rreth 188 milionë fëmijë dhe adoleshentë në moshë shkollore në mbarë botën jetonin me obezitet, duke e tejkaluar për herë të parë numrin e fëmijëve nën peshë. Kjo gjendje rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, kancerit dhe sëmundjeve të tjera kronike në moshë madhore.
Ndërkohë, OBSH paralajmëron se shumë vende po përballen njëkohësisht me obezitet në rritje dhe kequshqyerje të vazhdueshme, një fenomen që e quan “barra e dyfishtë e kequshqyerjes”.
Edhe pse mbi 100 shtete kanë miratuar politika për ushqim të shëndetshëm në shkolla, më pak se gjysma e tyre kanë masa për të kufizuar reklamimin dhe marketingun e ushqimeve të pashëndetshme ndaj fëmijëve.
OBSH thekson se udhëzimet e reja janë hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë mbi bazë shkencore dhe synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe adoleshentëve, duke e bërë shkollën një mjedis kyç në luftën kundër obezitetit.


