Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), ka shënuar 10-vjetorin e themelimit të saj dhe njëkohësisht ka organizuar kongres dy ditor me tematikë qendrore “Integrimi farmaceutik në BE – Sfidat Legjislative”, raporton Gazeta Shneta.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës (MSh), Dr. Arben Vitia, ka thënë se shërbimet farmaceutike janë një gurthemel i çdo sistemi të fortë shëndetësor dhe ato sigurojnë që barnat jo vetëm të jenë në dispozicion dhe kualitative por edhe të përdoren në mënyrë të sigurt dhe efektive.
“Një nga sfidat kryesore është harmonizimi i legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian të sektorit farmaceutik që ndërlidhet me autorizim marketingu, prodhimin, shpërndarjen dhe farmakovigjilencën e produkteve dhe pajisjeve medicinale, me synime të qarta që qasja në barna duhet të jetë sa më e lehtë për pacienta”, ka theksuar ministri Vitia.
Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Sejdë Tolaj, ka ndarë disa risi rreth dikasteri që ai e drejton, ku në koordinim me institucione të tjera si Dogana e Kosovës dhe zyrën e Kryeministrit të Kosovës, kanë vendosur që të largojnë disa barriera administrative, njëra nga ato ‘heqja e lejes së eksportit’, me qëllim të lehtësimit të zhvillimit të bizneseve dhe kompanive në Kosovë.
Tolaj, ka thënë mes tjerash, se janë duke zhvilluar politikat në aspektin rregullator edhe në rastit e importit të substancave aktive për prodhuesit vendor.
“Nëse dëshirojmë të bëjmë diçka të re, duhet të stopojmë diçka të vjetër”, andaj është momenti i duhur që krahas këtyre zhvillimeve dhe sfidave globale që gjindemi edhe ne si Kosovë ti lehtësojmë të bëri biznes në vend, ka thënë Tolaj.
Kryetarja e Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, njofton tashmë se kanë vizituar të gjitha Odat e profesionistëve shëndetësor dhe se janë marrë vërejtjet dhe sugjerimet në lidhje me zbatimin e ligjit dhe ku janë pengesat, çfarë duhet të ndryshohet që ne ti kemi institucionet e kompletuara mes veti.
Kryetari i Urdhërit të Farmacistëve të Shqipërisë, Dëfrim Goma, me optimizëm është shprehur se nga ky kongres do të dalim në konkluzime dhe rekomandime të rëndësishme mbi mënyrën se si duhet adresuar një sërë çështje që kanë të bëjnë me sektorin farmaceutik andaj bashkëpunimi i fuqishëm do të sjellë legjislacion modern në përputhje me direktivat e Këshillit të Evropës, në mënyrë që qytetarëve t’u garantohen barnat të efektshme, cilësore, të sigurta, çmime të përballueshme dhe sigurisht shërbime farmaceutike cilësore.
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Kadri Bytyqi, ka theksuar se janë të gatshëm për partneritet me të gjithë aktorët dhe faktorët relevant që të dëshmohet profesionalizimi i punës së farmacistëve në vendin tonë.
Ky kongres i mbajtur me 1 dhe 2 qershor ka mbledhur përfaqësues të shumtë nga profilet udhëheqëse si nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Agjencitë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe Odat e Farmacistëve nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Bosnja. /Gazeta Shneta/




