Oda e Mjekëve të Kosovës ka ushtruar Kallëzim penal ndaj pediatrit Dr. Naim Zeka dhe psikologut klinik Shkëlzen Jusufi për falsifikim të faksimileve. OMK ndaj Zekës ka shqiptuar edhe gjobë prej 1 mijë eurosh. Zeka dhe Jusufi e mohojnë të kenë falsifikuar vulat. Pediatri ka edhe disa akuza ndaj drejtuesve të OMK-së
Oda e Mjekëve të Kosovës me vendim të Këshillit Etik ka gjobitur pediatrin Dr. Nazim Zeka për falsifikim të faksimiles. Ndaj tij, dhe psikologut klinik Shkelzen Jusufi, po ashtu janë ushtruar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore, shkruan Gazeta Shneta.
“Ndaj dr. Naim Zekës është zhvilluar procedura disiplinore dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar gjoba në shumë prej 1000 euro. Ndërsa, ndaj psikologut klinik, z. Shkelzen Jusufi nuk ka qenë e mundshme që të zhvillohet procedura disiplinore për shkak se i njëjti nuk është mjek dhe ndaj tij është parashtruar kallëzimi penal. Në të dy rastet realisht janë paraqitur kallëzimet penale pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pranë Departamentit të Përgjithshëm, për të cilat pritet që të merret prokurori i çështjes, me shpresë se ndaj të njëjtëve do të iniciohet procedura penale për shkak të falsifikimit të dokumentit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Gazetën.
Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga prokurori Ibrahim Berisha, i cili ka deklaruar se të dy rastet janë pranuar në Prokurori dhe janë dorëzuar tek prokurorët përkatës. Këto masa të OMK-së janë marr pasi është konstatuar prodhimi i faksimileve me vulën e Odës së Mjekëve nga një subjekt afarist në Prishtinë.
Por Zeka dhe Jusufi nuk janë në dijeni për kallëzimin penal. Ata kanë versionet e tyre për këtë ngjarje, ndërsa mohojnë të kenë falsifikuar faksimilet. Pediatri Zeka thotë se kjo çështje është hakmarrje e drejtuesve të OMK-së ndaj tij pasi në një takim me ta në Klinikën e Pediatrisë Zeka kishte ngritur disa shqetësime. Ndonëse thotë se nuk kishte asnjë qëllim të keq, për këtë shkak thotë se Oda iu hakmor.
“Unë më 15 nëntor të vitit të kaluar nga Senati i UP-së jam përzgjedhur Profesor Asistent në Fakultetin e Mjekësisë. Deri atëherë e kam pas vulën Ass. Dr. dhe në muajin janar më duhej vula për shkak të provimeve dhe e kam bo në ‘Europrint’. Në atë kohë patën filluar shpërndarja e vulave nga Oda. Në muajin tetor të vitit 2018 kam apliku për vulë në OMK”, deklaron Zeka.
Ai e pranon se në faksimilen që e prodhoi vet e vendosi edhe vulën e OMK-së pasi për këtë konsideroi se nuk ka asgjë të keqe duke qenë se është anëtar i këtij institucioni. Zeka ka deklaruar tutje se OMK e kishte lajmëruar për përgatitjen e vulës nëpërmjet adresës elektronike private, për çka po konsideron se nuk është mënyra e duhur. Pas gjobitjes nga OMK, Zeka e ndryshoi sërish faksimilen duke hequr vulën e OMK-së brenda saj. Ai thotë se tanimë ka paditur Odën në Gjykatë.
As Jusufi nuk është në dijeni për kallëzimin penal, ndërsa mohon të ketë falsifikuar vulën. Ai thotë se ka qenë anëtar i OMK-së deri në fillim të vitit 2019, pastaj janë larguar të gjithë psikologët klinik. Ai thotë se paraprakisht kanë punuar me licenca dhe faksimile të OMK-së. “I kemi licencat për 5 vjet dhe i kemi kryer të gjitha pagesat. Edhe kartelat i kemi. Pastaj kolegët më kanë treguar se na kanë larguar, por zyrtarisht nuk jam i njoftuar”, thotë ai.
Jusufi thotë se kur ka shkuar me marr faksimilen në OMK, ndonëse e kishte bërë pagesën, i kanë thënë se duhet ta prodhoj vet. “Më patën thënë ju psikologët klinik bëni vet, edhe pse i kemi bërë pagesat”, ka deklaruar Jusufi. /Gazeta Shneta/