Odat e profesionistëve shëndetësorë kanë dal me një deklaratë të përbashkët ku kundërshtohet drafti i propozuar nga Ministria e Administratës Publike për projektligjin e ri për paga. Në këtë draft mjekët janë kategorizuar me koeficient 4.0 që në pagë i bie rreth 950 euro.
Oda e Mjekëve; Oda e Infermierëve; Oda e Stomatologëve; Oda e Farmacistëve dhe Oda e Fizioterapeutëve, kanë kundërshtuar këtë draft të paraqitur nga MAP, duke thënë se kategorizimi i tillë është i papranueshëm dhe diskriminues, shkruan Gazeta Shneta.
“Drafti i tillë kundërshtohet në tërësi nga Odat e Profesionistëve Shëndetësor, për sa i përket nivelizimit dhe kategorizimit të pagave të profesionistëve shëndetësor. Çdo propozim që do të bie ndesh me propozimet që janë harmonizuar në mes të MSH-së dhe Odave, do të jetë i papranueshëm për komunitetin e profesionistëve shëndetësor”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.
“Procedimi i mëtutjeshëm apo miratimi i modaliteteve që do të diskriminonin profesionistët shëndetësor në raport me shërbyesit të tjerë publik, do të jetë fakt i përgjegjësisë së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për sabotimin dhe dëmtimin e reformës në sektorin publik shëndetësor e cila është në zhvillim e sipër”, thuhet tutje në deklaratë.
Odat janë zotuar në fund se do të përdorin të gjitha mjetet juridiko-ligjore për të mbrojtur integritetin profesional të profesionistëve shëndetësorë.
Më poshtë e gjeni deklaratën e plotë të Odave. /Gazeta Shneta/