Kuvendi i Odës së Farmacistëve të Kosovës ka përmbyllur legjislaturën aktuale me mbajtjen e mbledhjes së rregullt, ku janë miratuar raportet vjetore të punës dhe ato financiare për vitin 2025, si dhe janë shqyrtuar raportet e auditimit për vitet 2023 dhe 2024.
Në këtë mbledhje, Kuvendi ka marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për legjislaturën IV të OFK-së, të cilat do të mbahen më 3 qershor 2026. Po ashtu, është zgjedhur edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të jetë përgjegjës për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit, detajet lidhur me kriteret, afatet dhe procedurat e kandidimit do t’u bëhen të ditura anëtarëve në ditët në vijim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kuvendi ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për pjesëmarrje në procesin zgjedhor, duke kontribuar në forcimin e mëtejmë të profesionit farmaceutik në Kosovë. /Gazeta Shneta/




