Oda e Infermierëve të Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që të mos i ndal pagesat për shujta dhe kujdestari, krahas implementimit të Ligjit të ri të Pagave.
OIK poashtu ka shprehur pakënaqësinë me kategorizimin e infermierëve në këtë ligj, duke thënë se ky nivel është nënçmues për infermierët.
Reagimi i plotë:
Këshilli Drejtues i Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka mbajtur një takim urgjent duke shprehur pakënaqësitë në lidhje me vlerën e koeficientit por edhe kategorizimet që janë bërë me Ligjin e Pagave për komunitetin infermeror.
Në këtë takim u tha se asnjë nga kërkesat e përfaqësuesve të OIK lidhur me kategorizimet nuk janë marrë parasysh derisa vlera e koeficientit është tejet e ulët.
Kështu, kjo është nënvlerësuese për shkollimin dhe angazhimin e infermierëve, kategori kjo e cila edhe ashtu është e predispozuar me të madhe për të ikur jashtë vendit.
Andaj, anëtarët e Këshillit Drejtues të OIK kanë vendosur që t’i japin kohë Qeverisë që të reflektojë dhe krahas kësaj pagese të mbesin në fuqi shtesat si shujtat dhe kujdestaritë, të cilat duhet të jenë të pa cënueshme.
KD i OIK apelon për të fundit herë tek Qeveria e Republikës së Kosovës që krahas ekzekutimit të pagave sipas Ligjit të ri, të mos ndërpresë në asnjë mënyrë shujtat dhe shtesat e tjera. Përndryshe, pakënaqësitë e mëdha brenda komunitetit nga trajtimi i pabarabartë sipas niveleve të shkollimit dhe vlera e ulët e koeficientit do të na shtyejë të kërkojmë veprime ligjore kushtetuese që mund të vënë në pikëpyetje edhe vet Ligjin.