Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e dy mjekëve Prof. Sylejman Rexhepi dhe Dr. Ali Tolaj.
OMK ka publikuar një pjesë të biografisë së mjekëve ku thuhet se Tolaj ishte në krye të detyrës gjatë gjithë pandemisë, ndërsa reumatologu Rexhepi ishte doktor shkence dhe profesor i asocuar në Fakultetin e Mjekësisë, transmeton Gazeta Shneta.
Në anën tjetër FSSHK ka vlerësuar lartë kontributin e dy mjekëve, duke thënë se do të mbesin të pavdekshëm për rolin e tyre.
OMK: Humbin betejën me koronavirusin edhe dy mjekë
Ndahen nga jeta mjekët Dr. Ali Tolaj dhe Dr.Sylejman Rexhepi
Dr. Ali Tolaj ishte kirurg i përgjithshëm, i cili që nga viti 1988 ishte pjesë e Spitalit të përgjithshm të Gjakovës, Dr.Tolaj që nga fillimi i pandemisë ishte në krye të detyrës duke ju shërbyer pacientëve deri në ditën kur edhe vete rezultojë pozitiv në Covid-19. Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të shëndetësorë për kolegun e tyre, ai nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm.
Dr.Sylejman Rexhepi Mjek internist, reumatolog, doktor i shkencave dhe profesor asoc. Diplomoi në fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1979. Gjatë periudhës 1987-89 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe ka marr pjesë në organizimin e 6 simpoziumeve për këtë problematikë. Në vitin 2000 zgjidhet zëvendës shef, ndërsa më 2001 shef i katedrës së Mjekësisë Interne.
Në nëntor 2002 qëndroi në Universitetin e Ependorf Hamburgut me qëllim të përkrahjes së procesit reformues të arsimit të lartë. Më 2003 organizoi takimin profesional reumatologjik me pjesëmarrje ndërkombëtare. Gjatë periudhës 2002-2003 udhëhoqi studimet pasdiplomike për reumatologji me rehabilitim fizikal. Është anëtar i komisionit recensues në dy libra universitar. Ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe ka publikuar disa punime shkencore si autor dhe koautor.
Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tyre.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë:
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pas njoftimit të marr për humbjen e betejës me COVID-19 të dy kolegëve të nderuar e shumë të respektuar Dr. Sylejman Rexhepi-reumatolog në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK si dhe Dr. Ali Tolaj-Kirurg në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e tyre, kolegët dhe institucionet shëndetësor ku kanë vepruar dhe punuar të ndjerët. Puna dhe vet sakrifica e punëtorëve shëndetësor ndër vite,që së fundmi kulmoi edhe në Pandeminë COVID-19 ka mobilizuar mjekët dhe infermierët që si kur më pare të jenë në nivel të detyrës dhe shërbimit ndaj pacientëve, e që, fatkeqësisht po merr edhe jetë. Mjekët i humbëm, për ne mbesin të pavdekshëm. Beteja jonë vazhdon.