Shkencëtarët po zhvillojnë organe bioartificiale me ndihmën e teknologjisë së printimit 3D, një avancim që mund të ndryshojë të ardhmen e transplanteve dhe trajtimit të pacientëve me dëmtime të rënda të organeve.
Studiuesit në fushën e bioinxhinierisë po punojnë për krijimin e strukturave biologjike që imitojnë funksionin dhe përbërjen e organeve njerëzore, përfshirë zemrën, mëlçinë dhe veshkat, shkruan Mayo Clinic, transmeton Gazeta Shneta.
Teknologjia përdor materiale biologjike dhe qeliza njerëzore për të ndërtuar inde që mund të integrohen më mirë me organizmin e pacientit.
Ekspertët thonë se një nga qëllimet kryesore është reduktimi i mungesës së organeve për transplant, problem që prek mijëra pacientë në mbarë botën.
Aktualisht, shumë pacientë presin për vite të tëra për një organ kompatibil, ndërsa një pjesë humbin jetën para se të marrin transplantin.
Studiuesit besojnë se organet bioartificiale mund të ndihmojnë gjithashtu në uljen e rrezikut të refuzimit të organit, pasi në të ardhmen ato mund të krijohen duke përdorur qelizat e vetë pacientit.
Kjo do të mund të reduktonte nevojën për terapi të forta imunosupresive pas transplantit.
Përveç transplanteve, teknologjia e printimit biologjik 3D po përdoret edhe për testimin e barnave dhe studimin e sëmundjeve, duke krijuar modele të indeve njerëzore në laborator.
Megjithëse teknologjia ende ndodhet në faza zhvillimi dhe kërkon më shumë studime klinike, ekspertët e konsiderojnë atë një nga drejtimet më premtuese të mjekësisë rigjeneruese moderne. /Gazeta Shneta/


