Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) ka hartuar një opinion profesional mbi kompetencat e stomatologëve në trajtimet estetike jo-kirurgjikale në zonën periorale dhe oro-faciale, duke kërkuar krijimin e një kornize të qartë ligjore për këtë fushë dhe garantimin e sigurisë së pacientëve.
Në dokumentin e hartuar nga OSK trajtohen çështjet që lidhen me procedurat estetike jo-kirurgjikale, përfshirë aplikimin e toksinës botulinike (Botox) dhe mbushësve dermalë, fusha për të cilat aktualisht, sipas Odës, nuk ekziston një rregullim specifik në legjislacionin e Kosovës.
Sipas OSK-së, analiza e kuadrit ligjor aktual tregon se nuk është përcaktuar qartë statusi juridik dhe profesional i këtyre procedurave, si dhe nuk ekziston një autorizim i shprehur që përcakton kompetencat e stomatologëve për realizimin e tyre apo kriteret profesionale që duhet të plotësohen.
“Ky opinion profesional është hartuar duke marrë parasysh zhvillimet bashkëkohore të praktikës profesionale, interesimin në rritje për këto procedura, si dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e OSK-së.
Për hartimin e dokumentit, Kuvendi i OSK-së ka emëruar një komision profesional të përbërë nga specialistë të fushave përkatëse të stomatologjisë. Komisioni ka analizuar aspektet profesionale, shkencore dhe juridike që lidhen me trajtimet estetike jo-kirurgjikale, ndërsa janë zhvilluar edhe konsultime me profesionistë dhe grupe të interesit.
Opinioni përfshin analizën e legjislacionit vendor, praktikat ndërkombëtare të rregullimit të këtyre procedurave, kufijtë anatomikë të kompetencave profesionale të stomatologëve, rreziqet dhe komplikimet e mundshme, si dhe rekomandimet për trajnime dhe standarde të sigurisë për pacientët.
OSK thekson se dokumenti nuk synon zgjerimin e kompetencave të stomatologëve përtej kuadrit ligjor ekzistues, por ofrimin e një baze profesionale dhe shkencore për institucionet përgjegjëse në procesin e rregullimit të kësaj fushe.
Opinioni profesional i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që të shërbejë si dokument referues gjatë hartimit të politikave, akteve nënligjore dhe standardeve profesionale për trajtimet estetike jo-kirurgjikale në Kosovë.
“Qëllimi është mbrojtja e interesit publik, garantimi i sigurisë së pacientëve dhe avancimi i profesionit të stomatologjisë”, ka bërë të ditur OSK, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet kompetente në këtë proces.



