Dhimbje e nyjeve, ënjtje e një nyje ose shumë nyjeve, shtangime të nyjeve të cilat zgjasin të paktën një orë në mëngjeset e hershme, dhimbje ose ndjeshmëri kronike në nyje, ngrohtësi ose skuqje në një zonë të nyjes, lëvizje e kufizuar në një nyje ose shumë nyje të prekura, lodhja, këto janë vetëm disa nga simptomat që një person me sëmundje reumatizmale ka.
Artriti dhe sëmundjet e tjera reumatike janë një familje sëmundjesh që e bëjnë të vështirë kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Edhe në Kosovë, përkatësisht në Klinikën e Reumatologjisë, sëmundjet reumatike janë nga më të ndryshmet, këtë e tregon edhe specialisti i reumatologjisë, dr. Besim Demolli.
Ai në një intervistë për Gazetën Shneta thotë se ka më shumë se 200 sëmundje të ndryshme reumatike, por nga përvoja në klinikë më të shpeshta janë osteoporozën, artritin reumatoid, gihtin, fibromialgjinë, artrozën, lupusin eritematoz sistemik, spondilitin ankilozues, skleroderminë
“Në fakt, ka më shumë se 200 sëmundje të ndryshme reumatike dhe se në përvojën tone klinike sëmundjet më të shpeshta takojmë; osteoporozën, artritin reumatoid, gihtin, fibromialgjinë, artrozën, lupusin eritematoz sistemik, spondilitin ankilozues, skleroderminë”, tha ai.
Ndërsa simptomat mund të ndryshojnë, si rregull, këto sëmundje synojnë sistemin musculoskeletal, duke përfshirë kockat, nyjet, muskujt dhe tendinat që kontribuojnë në funksionimin e sistemit tuaj muskulo-skeletal.
Tutje Demolli tregon se disa njerëz gjithashtu mund të kenë përfshirje të organeve të brendshme ose edhe më shumë se një nga këto sëmundje në të njëjtën kohë.
Prandaj, sipas tij mund të duhet kohë që mjeku juaj i kujdesit parësor, reumatologu ose një profesionist tjetër i kujdesit shëndetësor të përcaktojë diagnozën tuaj të veçantë dhe mënyrën më të mirë të trajtimit për ju.
Një vëçori jo e mirë duket të jetë edhe fakti se pacientët shpesh paraqitën në një stad të vonuar të sëmundjes, e sipas reumatologut kjo mund të vije edhe si mungesë e informimit rreth sëmundjeve reumatizmale.
“Thënë të drejtën shpesh herë pacientët e sëmurë me sëmundje reumatike kërkojnë konsultën me reumatologun në një stad të avancuar të sëmundjeve të tyre. E tërë kjo ndodh për shkak të informimit jo të mjaftuar të pacientëve për sëmundjet reumatike dhe profesionistin trajtues të tyre. Fatkeqësisht ky informim mungon edhe tek mjekët e kujdesit parësor shëndetësor”, u shpreh Demolli për Gazetën Shneta.
Sipas të dhënave nga korporata botërore e cila merret me publikime shëndetësore WEB MD, thuhet se sëmundjet reumatizmale mund të prekin edhe mosha më të reja. Madje sipas tyre thuhet se Artriti reumatoid ka më shumë gjasa të shfaqet në moshën e mesme, por edhe të rriturit e rinj mund të prekën nga kjo sëmundje. Rreth 8 në 100,000 njerëz të moshës 18 deri në 34 vjeç e kanë ndonjë sëmundje reumatizmale.
E, në lidhje me moshat më të reja, Demolli thotë së sëmundjet reumatizmale mund të vijnë si pasojë e shumë faktorëve të ndryshëm.
“Shpesh shkaktarët e sëmundjeve reumatike nuk dihen. Por, shkaktarë të këtyre sëmundjeve besohen se disa ose të gjitha sa vijon mund të luajnë një rol, në varësi të llojit të sëmundjes reumatizmale: Gjenet dhe historia familjare; Shkaqet mjedisore; Stilit të jetesës; Infeksioni; Trauma; Probleme metabolike; Konsumimi ose stresi në një kyç ose nyje; Gjenetika mendohet se luan një rol në zhvillimin e spondilitit ankiloz, fibromialgjisë, lupusit dhe artritit reumatoid”. tha Demolli.
Tutje, ai thekson që sipas përvojës njerëzit janë shumë pak të informuar për sëmundjet reumatike dhe profesionistin trajtues të tyre.
“Shumica mendojnë se sëmundjet reumatike atakojnë vetëm njerëzit në moshën e pleqërisë së tyre. Por, ne iu ripërsërisim se sëmundjet reumatike atakojnë çdo moshë”, shtoi ndër të tjera reumatologu.
I pyetur se sa rezultatë japin metodat që përdorën tani për trajtimin e këtyre sëmundjeve, Demolli u shpreh se trajtimi përfshin mjekimin për dhimbjen dhe inflamacionin. Por, disa sëmundje reumatizmale kërkojnë medikamente të tjera, specifike për sëmundjen.
“Me trajtimin e duhur, ju mund ta menaxhoni këtë sëmundje dhe të jetoni ende një jetë të mirë dhe produktive. Ka medikamente dhe terapi të shumta që janë provuar efektivë… Sidoqoftë, ju gjithashtu duhet të merrni kontrollin e situatës. Kjo do të thotë të siguroheni që të bëni ushtrime adekuate, pushim të bollshëm dhe ushqim të mirë…Po e përmbyllim këtë bashkëbisedim me këtë këshillë, “Mos u dorëzo”. Jepi vetes kohën që të duhet për tu bërë më mirë.”, përfundoi ai.
Ndër të tjera, Demolli këshillon që çdo person që ka këto simptoma, të konsultohet me reumatolog, në mënyrë që të vazhdohet trajtimi mjekësor.
• Dhimbje në një ose më shumë se një nyje!
• Enjtje në një ose më shumë se një nyje!
• Dhimbje e nyjeve e cila tani ka filluar dhe e cila nuk është pasojë e një dëmtimi!
• Dhimbje të nyjeve ose muskulo-skeletore të shoqëruara me ethe, lodhje, enjtje të nyjeve, skuqje të nyjeve, shtangime mëngjesore, kufizime të lëvizjeve të nyjeve!
• Dhimbje në nyje që përkon me dhimbjen e shpinës!
• Dhimbje të nyjeve tek pacientët e sëmurë më psoriazë, kolit ulçeroz, morbus Crohn, etj!
• Dhimbje muskulare me ose pa ndonjë simptomë tjetër!
• Dhimbje të përsëritura koke ose dhimbje muskulore!
• Dhimbje në fundshpinë me ose pa shpërndarje të dhimbjeve në këmbë!
• Simptoma të vazhdueshme të tilla si: ethe e pashpjegueshme, djersitje ose humbje peshe!
Kujtojmë qe reumatologët janë profesionistë mjekësorë të cilët diagnostikojnë dhe trajtojnë sëmundjet që prekin nyjet, tendinet, ligamentet, kockat dhe muskujt. Pra ata janë të përgatitur enkas për diagnostikim, monitorim dhe trajtimin medikamentoz./Gazeta Shneta/