Pacientët me sëmundje të rralla dhe kujdestarët e tyre në Evropë po përballen me një krizë të thellë të shëndetit mendor, sipas një ankete të organizatës evropiane për sëmundjet e rralla, EURORDIS.
Anketa, e realizuar me afro 10 mijë pacientë dhe kujdestarë nga 45 vende evropiane, zbuloi se shkalla e depresionit dhe ankthit në këtë grup është shtatë herë më e lartë se te popullsia e përgjithshme e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, ndjenja e vetmisë është deri në 20 herë më e shpeshtë, ndërsa mendimet vetë-dëmtuese raportohen deri në 10 herë më shumë, shkruan burimi Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Jessie Dubief, drejtoreshë e kërkimeve sociale në EURORDIS, rezultatet tregojnë qartë përmasat e krizës së shëndetit mendor që po prek komunitetin e personave me sëmundje të rralla në Evropë. Ajo theksoi se situata është veçanërisht shqetësuese, sepse nuk bëhet fjalë për probleme të përkohshme, por për një realitet të përditshëm që vazhdon prej vitesh për miliona njerëz.
Gati tre të katërtat e pjesëmarrësve thanë se kishin pasur nevojë për mbështetje profesionale psikologjike gjatë gjashtë muajve të fundit. Megjithatë, vetëm rreth gjysma e tyre arritën ta marrin këtë ndihmë.
Ndër pengesat kryesore për qasje në shërbime përmenden kostot e larta, listat e gjata të pritjes, largësia nga shërbimet dhe mungesa e informacionit se ku mund të kërkohet mbështetje. Ata që morën ndihmë psikologjike raportuan se ajo i ndihmoi të përballonin më mirë jetën e përditshme dhe sfidat e sëmundjes.
EURORDIS kërkon që kujdesi për sëmundjet e rralla të përfshijë mbështetjen për shëndetin mendor në çdo fazë të trajtimit. /Gazeta Shneta/


