Në Spitalin e Prizrenit pacientët që kryejnë rëntgen po iu kërkohet t’i fotografojnë me telefon imazhet në mënyrë që t’i kenë në “historinë” e tyre, në vend se t’iu lëshohen filma ose CD.
Një paciente e cila kishte pësuar frakturë shkoi në Spitalin e Prizrenit për të bërë një rëntgen. Pasi e kreu, stafi i kërkoi ta fotografoj imazhin me telefonin e saj personal në mënyrë që ta ketë në “historinë” e saj, shkruan Gazeta Shneta.
“Po e bon rëntgenin edhe duhet me shku mandej me telefon me fotografu te kompjuteri se rëntgen letër fizike nuk kanë me të dhanë në dorë me pas në historinë tende si pacient por me telefon duhet me ia dërgu mjekut me pa imazhin”, ka treguar pacientja e cila ka kërkuar të mbetet anonime.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtori i Spitalit Dr. Afrim Avdaj, i cili në një përgjigje elektronike ka thënë se filmat i kanë marr donacion dhe ka mohuar se ka mungesë të tyre.
Avdaj ka deklaruar se nuk ka mundësi të bëhen gabime në diagnostikim, pasi imazhet lexohen nga radiologët.
“Filmat kanë qenë të siguruar me donacion dhe vazhdon të ketë. S’ka mundësi gabimi fare sepse rtg lexohet nga radiologu kompetent i cili është kompetent ta lexojë dhe të bëj raport që është dëshmi mbi cilësinë e grafisë dhe cilido nga mjekët konsultant ka qasje në rtg aparat ku ruhet grafia”, ka deklaruar Avdaj. /Gazeta Shneta/