Një studim i ri ka gjetur një lidhje mes pagjumësisë dhe mungesës së gjumit me rrezikun për zhvillimin e presionit të lartë të gjakut (hipertensionit) tek adoleshentët.
Ky hulumtim u realizua me pjesëmarrjen e mbi 400 adoleshentëve, dhe tregoi se ata që raportuan se kishin pagjumësi dhe flinin më pak se 7.7 orë natën, kishin pesë herë më shumë mundësi të zhvillonin hipertension krahasuar me ata që flinin mjaftueshëm, transmeton GazetaShneta.
Gjithashtu, adoleshentët që flinin më pak se 7.7 orë, por nuk kishin pagjumësi, kishin rreth tre herë më shumë mundësi të kishin presion të lartë të gjakut.
Studiuesit kanë theksuar se kombinimi i pagjumësisë dhe gjumit të pamjaftueshëm është ai që kontribuon në zhvillimin e kushteve më të rënda shëndetësore, si hipertensioni. Ata po ashtu nënvizuan rëndësinë e monitorimit të shëndetit të gjumit që në moshë të re dhe apeluan për ndërhyrje në mënyrën e jetesës së adoleshentëve, duke përfshirë praktika të mira të higjienës së gjumit.
Rekomandimet përfshijnë shmangien e përdorimit të elektronikës para gjumit, krijimin e rutinave relaksuese përpara se të shkojnë në shtrat dhe përfshirjen e aktivitetit fizik në jetën e përditshme. Studimi nënvizon se sa e rëndësishme është që adoleshentët të zhvillojnë zakone të mira gjumi që mund të ndikojnë pozitivisht në shëndetin e tyre të përgjithshëm dhe të parandalojnë rreziqet shëndetësore të mëvonshme, si presioni i lartë i gjakut./GazetaShneta/


