Anesteziologu Nehat Baftiu ka udhëhequr Klinikën e Anestezionit me Mjekim Intensiv për disa mandate radhazi. Të hënën ai ka përfunduar mandatin dhe në vend të tij është emëruar ud. Gazmend Spahija.
Baftiu pas përfundimit të mandatit ka deklaruar se ndjehet mirë për punën dhe angazhimin e tij të deritanishëm në krye të klinikës. Sipas tij anesteziologjia është ngritur në nivelin më të lartë gjatë kësaj kohe.
Megjithatë ai ka shprehur edhe idhnimin e tij pas largimit nga kjo pozitë. Sipas tij lajmin e ka kuptuar nga mediat, ndërsa i ka çuar edhe një mesazh “dikujt që u tregua mosmirënjohës”.
Lexoni postimin e tij të plotë:
Të respektuar miq, familjarë, kolegë profesorë dhe studentë
Kam pranuar me dhjetra thirrje, mesazhe falënderuese nga ana juaj, për punën dhe angazhimin tim, pas publikmit të lajmit në media se kontrata ime si Drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror ka përfunduar dhe në vend timin është caktuar tjetërkush.
Dua të ju informoj se lajmin për zëvëndësimin tim, unë e kam kuptuar nga mediat, meqënëse jam në pushim vjetor në bregdetin shqitpar bashkë me familjen.
Ndjehem shumë mirë që falë punës dhe angazhimit bashkë me kolegët, kemi arritur që ta formojmë Klinikën e Anestezionit, poashtu Katedrën e Anesteziologjisë, të fusim lëndën e Anesteziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe të përgatisim shumë kuadro në anesteziologji.
Në fillet e punes sime kemi qenë shumë pak anesteziolog (7 ), të shpërndarë nëpër klinika, e nën udhëheqje e menaxhim nga klinikat tjera.
Jam angazhuar intenzivisht që zëri dhe ndikimi i anestezilogut të jetē i fuqishëm dhe vendimtar në QKUK dhe kudo në sistemin shëndetësor në vend.
Ky angazhim nuk ka qenë i lehtë, ka pasur mjaft sfida dhe barriera që me përkushtim i kam tejkaluar.
Pas punës intensive, bashkë me kolegët arritëm që për herë të parë të formojmë Klinikën e Anesteziologjisë, përkundër rezistencës dhe kundërshtimeve që ishin evidente.
Punën nuk e ndalem me pavrësimin dhe formimin e klinikës, vazhduam dhe formuan Katedrën e Anesteziologjisë bashkë me Prof. Asoc. Antigona Hasanin, që poashtu bëmë dhe po bëjmë punë të shkëlqyer.
Rolin dhe rëndësinë e anesteziologut dhe anesteziologjisë e rritëm dhe ngritëm në nivelin më të lartë.
Dita ditës shtuam rezultatet e punës dhe fryt i gjithë kësaj pune, ne kliniken tone kane diplomuar me shume se 120 anesteziologë.
Me shfaqjen e Pandemisë, falë pëkushtimit dhe angazhimit maksimal, përveç 42 sallave të operacionit dhe 6 mjekimeve intensive, bartëm barrën kryesore të menaxhimit të rasteve me Covid.
Dua të falenderoj kolegët anesteziolog, infermierët dhe te gjithe punetoret e klinikës dhe të ju kërkoj falje që në disa raste kemi qenë të detyruar që të punojmë deri në 72 orë në kujdestari dhe orar të rregullt, festa e vikende, vetëm e vetëm që të jemë pranë pacientëve.
Faleminderit gjithsecilit prej juve qē për vite të tëra bashkëpunuam dhe shtyem para shumë procese vendimtare për anestezionin dhe anesteziologjinë kosovare.
Dikush u tregua jo mirënjohës dhe jo falënderues, por koha e ka dëshmuar dje do ta dëshmojë edhe në të ardhmen se ishim në rrugë të drejtë, të përkushtuar dhe mbi të gjitha në krye të detyrës me profesionalizëm.
Krejt në fund, dua të falenderoj edhe familjen time që më përkrahu në këtë rrugëtim, ndonëse shpeshherë larg tyre dhe me angazhime edhe pas orarit të punës, në vikende e festa zyrtare.
Unë do të vazhdojë të jem pranë pacientëve, studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionit të shenjtë të anesteziologut.
I juaji
Prof.assoc.dr. Nehat Baftiu