Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka hapur konkurs për drejtorë në 16 klinika në Qendrën Klinike Universitare.
Klinikat e QKUK-së të cilat që disa muaj janë duke u udhëhequr nga ushtrues detyre, pritet të bëhen së shpejti me drejtor me mandat të plotë, shkruan Gazeta Shneta.
SHSKUK ka shpall konkurs për drejtor në Mjekësi Fizikale, Pulmologji, Ortopedi, Infektivë, Oftalmologji, Pediatri, Nefrologji, ORL, Kirurgji Torakale, Neonatologji, Kirurgji Maksillofaciale, Kardiologji, Biokimi, Kirurgji Vaskulare, Psikiatri Forenzike dhe për shërbimin e ri të Mikrobiologjisë Klinike.
Në fushën e detyrave kryesore për drejtorët, SHSKUK ka shtuar dy pika për dallim nga konkurset në vitet e kaluara. Drejtorët e rinj do të obligohen që të “krijojnë kushte optimale për punë për stafin e institucionit dhe të zhvillojnë programe konkrete për zhvillimin dhe avancimin profesional të tyre”, si dhe të bëjnë “vlerësimin e performancës sipas legjislacionit në fuqi”.
Ndërkaq në fushën e përvojës dhe kritereve tjera që kërkohen për kandidatët, SHSKUK ka shtuar tre pika të reja. Në njërën prej tyre i ka hapur rrugë që të aplikojnë edhe kandidatë që janë nën hetime ose të akuzuar për raste të ndryshme, duke mjaftuar që të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë.
“Të mos jetë i dënuar me vendimin e formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje”, thuhet në konkursin e shpallur nga SHSKUK.
“Të jetë i aftë në pikpamje shëndetësore për të kryer detyrën përkatëse”, si dhe “Të mos ketë në fuqi një masë disiplinore për largim nga një pozitë e zyrtarit publik, të pushuar sipas këtij ligji”, janë dy kritere tjera të cilat janë shtuar në këtë konkurs.
Konkursin e plotë mund ta shihni duke klikuar këtu: Konkursi për drejtorë të klinikave QKUK 2021
/Gazeta Shneta/