Njohësi i çështjeve të ambientit, Besnik Domi, ka propozuar krijimin e disa politikave fiskale ekologjike me anë të të cilave mund të parandalohet ndotja e ajrit.
Ky propozim vjen në kohën kur kryeqyteti i Kosovës po përballet me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit, e cila sipas statistikave të Bankës Botërore ka shkaktuar edhe vdekjen e qindra personave ndër vite.
Besnik Domi është përfaqësues i kompanisë “Bujqësia EU”. Ai është Magjistër i Etikës dhe Filozofisë Politikë nga Universiteti i Lilit në Francë kurse në Kosovë ka kryer studimet në Filozofi dhe Sociologji. Ai ka bërë specializime edhe në Fushën e Ekonomisë dhe Politikës.
Në këto vitet e fundit në kuadër të kompanisë “Bujqesia Eu” Domi është marrë edhe me çështjet e Mbrojtjes së ambientit , në veçanti për Politikat Publike në këtë fushë.
Gazeta: Si e vlerësoni në përgjithësi gjendjen e mjedisit tek ne dhe punën e institucioneve për ruajtjen por edhe kultivimin e tij afatgjatë?
Besnik Domi: Mendoj se në periudhën kur çështjet ekologjike dhe të Mjedisit jetësor në përgjithësi janë shndërruar në temat më të rëndësishme dhe më jetike në shtetet e zhvilluara të planetit tonë , tek ne ato jo vetëm që shpërfillen por kam frikën se nuk ekziston vetëdija se madje ato ekzistojnë. Në përgjithësi ne edhe individualisht edhe si shoqëri kemi shumë pak interesim dhe shumë pak informata për çështjet e Mjedisit , jo vetëm në botë por në vetë vendin ku jetojmë. Ne nuk dijmë fare se si e kemi gjendjen elementare të pyjeve , lumenjve , ajrit , llojeve të ndryshme të rrezatimeve që pranojmë etj. E të mos flasim për çështje tjera më të ndërlikuara dhe më të thella.
Besoj se një tregues mjaft kuptimplotë se cila është gjendja e mjerë e trajtimit tonë shoqëror e institucional është edhe fakti se të gjithë ne sot me vështirësi mund të përkujtojmë emrat e ministrave të kaluar të Mjedisit në Qeverinë e Kosovës pas luftës dhe ndonjë vendim të rëndësishëm konkret që ata kanë ndërmarrë. Ndoshta është bërë ndonjë punë e vogël edhe nga kjo Ministri ndër vite por kjo gjë ka qenë aq e parëndësishme për ne saqë as nuk ka arritur të bëhet as lajm nëpër media!
Gjithashtu e kemi edhe një tregues tjetër domethënës për rëndësinë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për udhëheqësit politikë të Kosovës : të gjithë Ministrët e deritanishëm në këtë Ministri kanë ardhur nga partitë më të vogla të koalicioneve qeveritare apo nga përfaqësuesit e pakicave! Pra partisë me fuqinë më të vogël në qeveri , si mbetje pas ndarjes së hiseve të mëdha të pushtetit , iu është ofruar kjo Ministri! Gjithashtu duhet [atur parasysh se përveç buxhetit për shpronësim , edhe buxheti i Ministrisë gjithmonë ka qenë shumë i vogël , madje vetëm simbolik!
Gazeta: Zotëri Domi, a ekzistojnë mundësi sipas jush, që me masa të shpejta dhe të vendosura, të ndërohet kjo gjendje kaq e keqe? Çka mund të bëjmë ne që ta përmirësojmë gjendjen sadopak, në një afat të shkurtër?
Besnik Domi: Ajo që mungon është vizioni i qartë dhe strategjia gjithëpërfshirëse e cila do të udhëhiqte pastaj këtë vizion! Ne nuk e kemi të qartë , ashtu siç thashë , as sa të rëndë e kemi gjendjen , e mos të flasim këtu për masat që duhet ndërmarrë!
Nuk kam vërejtur gjatë gjithë këtyre viteve që ekziston një politikë e qartë publike që do të merrej seriozisht me këto probleme!
Mirëpo që të mos jemi krejtësisht pesimistë, besoj se ekzistojnë mundësitë për marrjen e disa masave energjike të cilat do të mund ta ndryshonin gjendjen mjaft mirë , madje edhe për periudha të shpejta. Këtu në radhë të parë kam ndërmend politikat fiskale ekologjike të cilat nga shumëkush konsiderohen si mjetet më të fuqishme që dispononojnë sot shtetet për ta mbrojtur dhe përparuar mjedisin e tyre jetësor!
Gazeta: A mund të na tregoni shkurtimisht për politikat fiskale ekologjike?
Besnik Domi: Politikat fiskale ekologjike, në shpjegimin më të thjeshtë , janë ato masa tatimore dhe taksat e ndryshme , që qeveria apo pushteti lokal , mund të vendosë mbi burimet e dëmtimit apo rrezikimit të ambientit jetësor! Në të vërtetë politikat fiskale ekologjike nuk janë gjithmonë ngarkuese apo ndëshkuese! Përkundrazi , në shumë raste nga aktorët publikë merren veprime të tilla fiskale që të stimulohet prodhimi , shpërndarja dhe konsumi i produkteve apo shërbimeve që do të kishin ndikim pozitiv ekologjik!
Gazeta: Këtyre politikave fiskale që përdoren në botë dhe që do të mund të kishin zbatim edhe tek ne?
Besnik Domi: E para masë që do të përmend , do të ishte parimi tashmë i njohur ekonomik dhe ekogjik që quhet “Polluter pays” (Ndotësi paguan). Kjo është një masë shumë e vjetër dhe shumë e përdorur në shtetet e zhvilluara sepse nga organizata e OECD ka filluar të përmendet që në vitet e 70 kurse që nga Samiti i Rios për ambientin në vitin tash të largët 1992 , ky parim ka hyrë në dokumentet më të rëndësishme të kësaj fushe!
Ky parim është shumë i thjeshtë dhe gjykoj edhe shumë i drejtë : Ajo kompani , organizatë , institucion , OJQ etj. e cila shkakton ndotje apo dëmtim të mjedisit jetësor duhet të marrë përgjegjësi për veprimet e saj. Ajo po shkakton një dëm jashtë vetes së saj dhe ai dëm ose duhet të ndalet plotësisht ose duhet të kompenzohet dëmi!
Pra në rast se për shembull një Fabrikë si për shembull në rastin tonë KEK i shkakton me punën e tij mjedisit dëm , duke ju shkaktuar edhe shumë njerëzve dhe gjallesave dëmtim të rëndë , ai ose duhet ta ndalë veprimtarinë e tij ose duhet të paguajë para për dëmet që iu shkakton tjerëvë!
Nëse për shembull KEK na bind se ai teknikisht nuk ka mundësi ta zvogëlojë ndotjen e mjedisit nga termocentralet e tij atëherë ata duhet të jenë të gatshëm të paguajnë taksë për dëmin që po ju bëjnë të tjerëve. Ajo taksë e cila do të ishte sa më e lartë sa më i lartë që do të ishte ndotja ,do të mund të grumbullohej nga pushteti publik i cili pastaj do të investonte në projekte rehabilituese të mjedisit të dëmtuar si për shembull mbjellja e drunjve të rinj , pastrimi i ujërave të afërta apo edhe zhvendosja dhe ndërtimi i vendbanimeve të reja për popullsinë që është më së shumti e prekur nga kjo ndotje!
Me parimin “Ndotësi paguan “ do të kishim pra një zgjidhje më të drejtë që dëmet e ndotjes mos ti merrnin përsipër vetëm njerëzit e pafajshëm por edhe vetë “fajtori i ndotjes”.
Përveç këtij efekti të parë , është vërejtur nëpër shtete e zhvilluara se nëse është i detyruar që të paguajë shpenzime plotësuese për ndotjen që ja shkakton mjedisit , vetë ndotësi do të jetë më i motivuar që ta zvogëlojë atë ndotje! Sepse , për vetë interesin e tij , nëse ai do ta zvogëlonte ndotjen do të paguante më pak ose nuk do të paguante fare taksë mjedisore! Pra ai do të kishte levërdi që vetë të bëjë përpjekje më të mëdha ose të investojë më shumë që ta zvogëlojë dëmtimin e mjedisit që puna e tij e shkakton!
Besoj se për shembull edhe në rastin e rajonit tonë të Prishtinës , poqese do të detyrohej të paguante taksë të madhe ekologjike , vetë KEK nuk do ta zvarriste vendosjen e filtrave të rinj apo modernizimin e teknologjisë së punës së tij për vite e vite me radhë! Ata vetë do të nguteshin ta zvogëlonin ndotjen për shkak të interesit të tyre ekonomik e jo që për shembull çështja e filtrave të mbes në vullnetin e mirë të tyre!
Gazeta: A mendoni se do të mund të kishte edhe ndonjë masë tjetër të këtillë e cila do të mund të jepte efekte të këtilla pozitive?
Besnik Domi: Po gjithsesi. Sidomos këtu do të mund të përmendej edhe taksa ekologjike për “energjitë e pastra”. Këto janë taksa të cilat përdoren me shumë sukses me qëllim të stimulimit të përdorimit të energjisë më të “pastër” dhe destimulimit të përdorimit të energjive që ndotin më shumë ambientin.
Besoj se kjo do të mund të përdorej edhe në Kosovë! Nuk e di se cila është gjendja e sotme dhe a ka ndryshuar diçka në kohët e fundit , por për një kohë të gjatë në Kosovë nafta dhe benzina i cili ishte më ndotës shitej me çmim më të lirë se nafta dhe benzina e cila ishte më e pastër për ambientin! Pra , vetë shteti me pakujdesinë e tij , i stimulonte njerëzit që për të kursyer paratë e tyre të përdorrnin energjinë e cila e dëmton më rëndë ambientin! Shihni çfarë paradoksi ekziston në vende pa Politika ekologjike! Ke më shumë llogari ekonomike ta dëmtosh ambientin sesa ta ruash atë!
Nëse kjo praktikë vazhdon edhe sot , ne duhet të kërkojmë me ngulm nga shteti që të vendosë “taksë ekologjikë” në naftën dhe benzinën që është më ndotës për ambientin dhe duke e rritur çmimin e tyre të shitjes të ndikojë drejtëpërsëdrejtin në zvogëlimin deri në maksimum të konsumit të tyre!
Gazeta: Ne në Prishtinë e kemi një problem të ngjajshëm sa i përket përdorimit të thëngjillit sidomos gjatë muajve të dimrit. Thëngjilli kushton më pak pra çmimi i tij i stimulon njerëzit që ta përdorin më shumë atë se lëndët tjera djegëse! Por thëngjilli është ndotësi më i madh i ambientit në raport me lëndët tjera djegëse! A keni ndonjë ide se si duhet vepruar edhe në lidhje me thëngjillin?
Besnik Domi: Nga ajo që po shohim është fakt se lidhur mbi ndotjen e qytetit të Prishtinës deri para nja 2 viteve nuk është folur fare , aq më pak të ketë ekzistuar një strategji për mbrojtjen e ambientit në kryeqytetin e shtetit ku jetojnë më shumë se 200 mijë njerëz.
Natyrisht thëngjilli është vetëm njëri prej ndotësve të mëdhenj të Prishtinës dhe atë kryesisht gjatë dimrit! Mendoj se qeveria aktuale është e para që po përpiqet të bëjë diçka në këtë drejtim dhe ky është një përparim i vogël në krahasim me gjendjen e mëparshme të pasivitetit të plotë!
Mirëpo konkretisht qasja e përgjithshme lidhur me këtë problem po më duket jo shumë mirë e menduar : Po paraqitet se ekzistojnë vetëm dy opcione :
-Për shkak të ndotjes që shkakton të ndalet përdorimi i thëngjillit për të gjitha banesat , ose
-për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të një pjese të popullsisë mos të ndalohet fare përdorimi i thëngjillit
Personalisht mendoj se kjo qasje me vetëm dy alternativa është e gabuar sepse të dyja këto alternativa janë të dëmshme për banorët e rajonit të Prishtinës! Pra cilën nga këto të dyja që do ta zgjedhnim do të shkaktonim dëm tek banorët tanë!
Ekziston sigurisht një zgjidhje tjetër më e ndërlikuar por shumë më firtimprurëse për ne : Ajo e ndalesës së madhe të përdorimit të thëngjëllit por e përkrahjes të diferencuar financiare për familjet me gjendje më të rëndë ekonomike!
Sepse të gjithë banorët e Prishtinës nuk janë në gjendje ekonomike të njëjtë e as nuk kanë nevojë ta përdorin lëndët djegëse në të njëtën mënyrë!
Për shembull 1. Nuk ka logjikë të ndalohet njësoj përdorimi i thëngjillit për dikënd i cili jeton në ndonjë vendabanim të izoluar dhe të atij i cili jeton në mes të qindra e mijëra banesave tjera rreth tij 2. Të gjithë nuk i kanë kushtet ekonomike të njëjta. Dikush ka aq pak të ardhura saqë detyrohet ta përdorë lëndën më të lirë djegëse kuse dikush edhepse ka të ardhura të larta përsëri dëshiron të kursejë para dhe e përdor thëngjillin .Pra Komuna apo shteti mund të parasheh të krijojë një fond me të cilin vetëm personat më të varfër të ju jepen para të gatshme apo lëndë tjetër djegëse falas e jo thëngjill në mënyrë që ata të mos ta ndosin ambientin 3.Kurse financimi i këtij fondi ose të bëhet nga buxheti i Shtetit apo ai komunal ose të vendoset një “taksë energjetike” në lëndët djegëse që i përdorim për nxehje.Atë taksë do ta paguanim ne të gjithë si konsumatorë kurse taksa e mbledhur do të shkonte për të subvencionuar nxehjen e familjeve me gjendjen më të rëndë ekonomike! Pra në këtë mënyrë do të krijonim një taksë “solidaritet në dimër” midis të gjithë qytetarëve të rajonit të Prishtinës ku gjendja ekologjike është më e rënda!
Gazeta: A jeni përpjekur të komunikoni deri më tani me ndonjë përgjegjës në Ministri apo në ndonjë Agjenci qeveritare që të ndani edhe me ta disa nga këto mendime dhe propozime tuaja ?
Besnik Domi: Në të vërtetë para pak javëve jam takuar me njërin prej këshilltarëve të Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe patëm biseduar pikërisht për çështjen e ndotjes së ajrit në Prishtinë gjatë dimrit!
Gazeta: Çfarë mund/duhet të bëjnë tjetër institucionet për të parandaluar apo zvogëluar ndotjen e ajrit në Prishtinë?
Besnik Domi: Disa nga masat që mund të ndërmerren tashmë i përmenda në pjesën e parë të kësaj interviste. Por këto janë masat që kërkojnë mjaft kohë që të organizohen dhe të realizohen. Gjithashtu për ndërmarrjen e këtyre masave duhet të angazhohen edhe shumë aktorë tjerë publikë dhe të hartohen edhe akte të reja ligjore e nënligjore.
Por një masë të cilën ia propozova këshilltarit të Ministrit që ai ta bisedojë me kolegët e tij dhe me vetë Ministrin është ajo që të fuqizohet përdorimi i transportit publik.Ideja ime ishte që të krijohen mundësitë e organizimit të transportit publik nga vetë Qeveria e Kosovës e nëpunësve publikë dhe punëtorëve nëpër ndërmarrje e agjenci publike që jetojnë më komunat jashtë Kryeqytetit kurse udhëtojnë çdo ditë në Prishtinë për punën e tyre. Ka me mijëra e mijëra vetura të punëtorëve të Qeverisë , Policisë , Ndërmarrjeve Publike , Universitetit të Prishtinës , QKUK etj. të cilët çdo ditë hyjnë e dalin nga Prishtina me veturat e tyre duke e ndotur shumë ajrin dhe duke krijuar edhe shumë tollovi e bllokim të trafikut të qytetit.
Pasiqë ata janë nëpunës publikë gjykoj se institucionet publike duhet të ju organizojnë transport publik falas me autobusë deri në kryeqytet dhe kështu ta lehtësojnë mjaft gjendjen e ndotjes në Prishtinë!
Besoj se me disa shpenzime të vogla për transportin e tyre do ta bënim një përmirësim të ndieshëm të ndotjes së ajrit që po na rrezikon dhe dëmton të gjithë neve vazhdimisht!