Pas suspendimit të mjekut Rrahim Ymeri nga Spitali i Prizrenit, ministri Ismaili dhe Kryeparlamentari Veseli kanë vizituar sot këtë institucion. Ismaili ka thënë se pas miratimit të ligjit për paga, e gjithë vëmendja do të jetë tek paciëntët.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë vizituar sot Spitalin “Primarius Dr. Daut Mustafa” në Prizren.
Pas vizitës në disa reparte, ku takuan personelin shëndetësor dhe pacientët, kryeparlamentari Veseli dhe ministri Ismaili bashkëbiseduan me punonjësit e Spitalit të Prizrenit, të cilët i falënderuan për rritjen më të madhe të pagave dhe për reformat në shëndetësinë kosovare.
Ismaili tha se rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë ka korrigjuar një padrejtësi, e cila u është bërë atyre për dekada. “Mjekët dhe infermierët kanë merituar paga më të larta gjithmonë. Jam i lumtur që këtë tashmë e realizuam duke korrigjuar këtë padrejtësi. Tani do t’i punësojmë edhe specialistët e papunë dhe e gjithë vëmendja do të kthehet te pacientët”, ka thënë ministri Ismaili, citohet në njoftimin e MSH-së, transmeton Gazeta Shneta.
Ismaili premtoi se investimet në përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë do të vazhdojnë edhe këtë vit. “Do të blejmë aparatura të reja, do të rinovojmë klinika dhe spitale, që duke përmirësuar kushtet e punës, të ofrojmë shërbime meritore mjekësore për pacientët tanë”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se shëndetësia do të vazhdojë të mbetet prioritet shtetëror dhe do ta ketë përkrahjen më të madhe.
“Rritja e pagave është vetëm një pjesë e reformave. Vëmendja jonë do të mbetet në shëndetësi. Do të investojmë për përmirësimin e kushteve të profesionistëve shëndetësorë për të realizuar shërbime dinjitoze për qytetarët tanë”, tha kryetari Veseli.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, falënderoi ministrin Ismaili dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për mbështetjen në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë.
“Për një kohë shumë të shkurtër është arritur që t’i ndryshohet fytyra shëndetësisë përmes investimeve të mëdha dhe përmirësimit të kushteve për profesionistët shëndetësorë dhe për pacientët”, ka thënë ai.
Investimet në shëndetësi, veçanërisht në Spitalin e Prizrenit, i përshëndeti edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Afrim Avdaj.
Ligji i ri për Pagat, që u miratua në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, ka siguruar rritjen më të madhe të pagave për të gjithë profesionistët shëndetësorë, në të gjitha nivelet, përfundon njoftimi. /Gazeta Shneta/