Ekranet dixhitale janë kudo, jo vetëm në punë, por edhe në shtëpi dhe shkolla.
Në Evropë, rreth 30% e punëtorëve të moshës 15 deri në 74 vjeç raportojnë se përdorin pajisje dixhitale gjatë gjithë ose shumicën e kohës së tyre të punës, shkruan burimi Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Koha e tepërt para ekranit mund të ketë pasoja, duke shkaktuar sy të thatë ose të lotuar, shikim të turbullt dhe dhimbje koke.
Në disa raste, veçanërisht tek fëmijët, mund të çojë në miopi (shikim të dobët nga larg). Por si mund ta zvogëloni lodhjen e syve?
Ndiqni rregullin 20-20-20
Ekspertët sugjerojnë të bëni pushim nga ekrani çdo 20 minuta.
Duhet të fokusoni sytë tuaj në diçka që ndodhet rreth 6 metra larg për 20 sekonda.
Ndërprerja e punës në distanca të afërta dhe shikimi në largësi i jep muskujve të lodhur kohë për t’u çlodhur.
“Lodhja e syve është fatmirësisht e përkohshme,” thotë Raj Maturi, oftalmolog nga Instituti “Midwest Eye”, dhe zëdhënës i Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë.
“Mënyra më e mirë për të shmangur këto simptoma është të bëjmë pauza nga ekranet ose puna afër dhe nëse është e nevojshme, të përdorim pika lubrifikuese për sytë.”
Është mirë të lëvizni dhe të dilni jashtë, por kur nuk keni kohë për një shëtitje, pauzat e shkurtra 20-sekondëshe mund të ndihmojnë.
Rregulloni hapësirën tuaj të punës
Disa njerëz gjejnë lehtësim nga lodhja e syve duke përdorur një monitor më të madh. Mund të rrisni gjithashtu madhësinë e shkronjave në laptop, monitor ose ekranin e telefonit tuaj.
Akademia Amerikane e Oftalmologjisë, rekomandon që të uleni në një distancë sa gjatësia e krahut nga ekrani dhe ta vendosni atë pak më poshtë nivelit të syve për të zvogëluar lodhjen.
Kini kujdes nga produktet me pretendime të ekzagjeruara
Disa produkte, si syzet me filtër blu, reklamohen si zgjidhje për të zvogëluar lodhjen e syve, përmirësuar gjumin dhe parandaluar sëmundjet e syve.
Megjithatë, disa studime kanë treguar se ato nuk janë shumë efektive, sipas Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë.
Në fakt, sjellja jonë ndaj pajisjeve dixhitale është ajo që shkakton shqetësimet, jo drita blu në sasi të vogla nga ekranet. /Gazeta Shneta/


