Dr. Fikret Arifi, specialist i pediatrisë, është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.
Arifi është emëruar në këtë pozitë nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Elvir Azizi. Ky vendim ka ardhur pas dorëheqjes së ish-ud.drejtorit Selajdin Sallahu, shkruan Gazeta Shneta.
Lajmi është konfirmuar nga drejtoria e SHSKUK-së si dhe nga vet Arifi.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, ju konfirmon se pas paraqitjes së dorëheqjes nga u.d. drejtori i spitalit, si ud. Drejtor ka caktuar dr. Fikret Arifi, me datë 8 mars 2024”, kanë deklaruar nga SHSKUK.
Arifi është i biri i Haqif Arifit shef në SHSKUK. Fikret Arifi ka thënë se kjo lidhje e tij familjare nuk ka ndikuar asgjë në emërimin e tij.
“Nuk mund t’i ndryshoj lidhjet e mia familjare. Por kjo nuk dmth se ka ndikuar diçka. Unë jam profesionist dhe kam kontributin tim dhe shpresoj se do të mund të punoj për të mirën e spitalit”, ka deklaruar Arifi.
Spitali i Ferizajt është që dy vite me ushtrues detyre prej kur u arrestua ish-drejtori Halit Gerbeshi nën akuzën për keqpërdorimin e detyrës. Gërbeshi vitin e kaluar është shpallur i pafajshëm nga gjykata. /Gazeta Shneta/