Oda e Mjekëve, Farmacistëve dhe ajo e Stomatologëve sot janë takuar me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj.
Sipas një njoftimi të Odës së Mjekëve të Kosovës, në këtë takim është biseduar për situatën me pandeminë në Kosovë, për sfidat e sistemit të shëndetësisë si dhe për çështjen e specializimeve, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë nga OMK:
Oda e Mjekëve, Oda e Farmacistëve dhe Oda e Stomatologëve ishin në takim me Ministrin e Shëndetësisë z.Armend Zemaj, me ç ‘rast u diskutua për gjendjen aktuale të pandemisë Covid 19 dhe punëtorët shëndetësor.
Konkretisht në këtë takim u bisedua rreth vazhdimit të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odave të Profesionistëve Shëndetësor në luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid 19.
Kryetari i Odës së Mjekëve, njoftoi ministrin Zemaj me gjendjen e përgjithshme në sektorin e shëndetësisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet aktualisht sektori shëndetësor, numri i madh i mjekëve të papunë si dhe ikja e tyre nga Kosova. Gjatë takimit gjithashtu u diskutua edhe çështja e specializimeve.