Një nga trendet më të fundit në TikTok, i njohur si “fibermaxxing”, nxit rritjen e konsumit të fibrave në çdo vakt. Ndryshe nga shumë trende ushqimore, ky zakon mund të jetë i dobishëm nëse praktikohet me maturi, pasi ndihmon në arritjen e sasisë së rekomanduar ditore prej 25–38 gramësh fibra.
Fibrat sjellin një sërë përfitimesh për shëndetin. Së pari, ato kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit të zemrës, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimet tregojnë se një dietë e pasur me fibra mund të ulë rrezikun për sëmundje të zemrës dhe infarkt në tru, falë ndikimit të tyre në tensionin e gjakut, inflamacionin dhe yndyrnat në gjak. Një tjetër përfitim i rëndësishëm është kontrolli i peshës, pasi fibrat ngadalësojnë tretjen dhe rrisin ndjesinë e ngopjes. Kjo mund të ndihmojë në konsum më të ulët kalorik dhe humbje graduale të peshës.
Konsumi i fibrave ndikon gjithashtu në funksionimin e rregullt të zorrëve. Fibrat e patretshme nxisin lëvizjen e jashtëqitjes, ndërsa ato të tretshme thithin ujë dhe e zbusin atë.
Për më tepër, fibrat përmirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak, veçanërisht tek personat me diabet të tipit 2, dhe ndihmojnë në ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme, falë fermentimit në zorrë dhe prodhimit të acideve yndyrore të dobishme.
Konsum i mjaftueshëm i fibrave është lidhur edhe me uljen e inflamacionit, reduktimin e rrezikut për depresion dhe mundësinë e uljes së rrezikut për kancer kolorektal.
Për të rritur marrjen e fibrave, rekomandohet zgjedhja e drithërave të plota, shtimi i arrave dhe farave, konsumimi i frutave me lëkurë dhe përfshirja e perimeve në çdo vakt. Këto zakone të thjeshta mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin afatgjatë. /Gazeta Shneta/


