Një mbledhje komemorative është mbajtur sot në nderim dhe përkujtim të Prof. Dr. Gazmend Shaqirit, i cili ndërroi jetë të hënën. Shaqiri është vlerësuar lartë si profesor, shkencëtar dhe kontribuues në shëndetësi, në veçanti për themelimin e Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare
Profesori i ndjerë është vlerësuar lartë nga bashkëpunëtorë dhe ish-studentë të tij. Dekania e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Prof. Dr. Suzana Manxhuka, ka thënë se Shaqiri kujtohet si një intelektual i kalibrit të lartë. “Punëtor dhe me pasion për të ngritur nivelin e shëndetësisë sidomos në sferën e kirurgjisë. E kujtojmë si një shembull të shkëlqyer, si një intelektual të kalibrit të lartë”, ka thënë Manxhuka ndër të tjera, shkruan Gazeta Shneta.
Në emër të SHSKUK-së ka folur kirurgu vaskular Dr. Luan Jaha. Ai e ka quajtur vizionar profesorin e ndjerë. “Një vizionar, themelues i kirurgjisë vaskulare, kirurgjisë në përgjithësi dhe fakultetit të mjekësisë. Duke qenë bashkëpunëtor i afërt i tij, ka pas një moto që nuk ka operacion që nuk bëhet por ka kirurg që nuk din me bë. Kjo ka qenë një motiv për neve që të punojmë më shumë dhe ta ndjekim shembullin e tij”, ka thënë Jaha.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Dr. Hajriz Rudari, e vlerësoi lartë kontributin e Shaqirit në shëndetësi, e në veçanti për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për të cilën njihet edhe si themelues. “Ndjehemi krenar me punën dhe veprën e Dr. Gazmed Shaqirit. Ne kishim fatin që të marrim mësimin atdhetar dhe akademik nga profesori. Ai nuk kurseu asnjëherë asgjë për ata që kishin nevojë për shërim”, ka thënë Rudari. Ai ka lexuar edhe një letër ngushëllimi nga Ramiz Tafilaj nga Huston SHBA.
Sadri Bajraktari, bashkëpunëtor i profesorit të ndjerë e ka kujtuar me emocione. “Thonë se vdekja kërkon heshtjen, ne ia falëm heshtjen. Por më e madhe se vdekja është vepra dhe sot ne në këtë komemoracion do të flasim pafundësisht për veprën e çmuar të profesor Shaqirit. Mbetem falënderues dhe mirënjohës për profesorin dhe për mua ai mbetet mësuesi i parë i kirurgjisë”, ka deklaruar Bajraktari. /Gazeta Shneta/