Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti ka në ‘New Bugajksi Hour’, i pyetur për planin për shëndetësi, ka deklaruar veç tjerash se do ta rregullojë çmimin e barnave.
Ai e ka quajtur të papranueshme që barnat shiten 30 për qind më shtrenjtë në barnatoret që janë në afërsi të spitalit, në krahasim me barnatoret e qendrës së qytetit, duke shtuar se kjo nuk do të tolerohet më.
“Për shembull, sot barnat janë 30% më të shtrenjtë nëse janë më afër spitalit, në krahasim me barnatoret në qendër të qytetit. Pra, gjëra të tilla janë vërtet të papranueshme dhe nuk duhet të tolerojmë që të ndodhin më’, ka thënë Kurti në ‘Bugajski Hour’.
Kurti ka thënë se qeverisja e ardhshme e Kosovës nuk do të lejojë që mjekët të punojnë edhe në spitalet private, si dhe në ato publike në të njëjtën kohë. “Nuk do të lejojmë më që mjekët t’i marrin pacientët nga spitalet publike dhe t’i akomodojnë ata në ordinancat e tyre private pas orarit të punës”, ka thënë Kurti.