Vendimet që njerëzit marrin për shëndetin në të 20-at dhe 30-at e jetës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien fizike dhe mendore në dekadat e mëvonshme, vlerësojnë ekspertët e Stanford Medicine.
Sipas tyre, nuk nevojiten ndryshime radikale në stilin e jetesës, por zakone të vogla dhe të qëndrueshme që krijojnë bazë për shëndet të mirë afatgjatë.
Ekspertët rekomandojnë pesë zakone kryesore që duhet të ndërtohen që në moshë të re, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Aktiviteti fizik dhe forca muskulore
Stërvitjet e forcës, të paktën dy herë në javë, ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore dhe të kockave, duke ulur rrezikun për probleme si osteoporoza dhe dobësimi fizik në moshë më të madhe.
Kujdesi për zemrën përmes lëvizjes
Ushtrimet aerobike si ecja, vrapi i lehtë apo çiklizmi për të paktën 150 minuta në javë ulin rrezikun nga sëmundjet e zemrës, diabeti dhe goditjet në tru. Ekspertët theksojnë se edhe ecja e përditshme ka përfitime të mëdha për shëndetin.
Ushqyerja e shëndetshme
Një dietë e bazuar në ushqime natyrale, perime, fruta, drithëra integrale dhe proteina të shëndetshme ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike. Dieta mesdhetare përmendet si një nga modelet më të shëndetshme të ushqyerjes.
Gjumi cilësor
Ekspertët rekomandojnë 7–9 orë gjumë në natë. Mungesa e gjumit në moshë të re lidhet me rritjen e rrezikut për obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare më vonë.
Menaxhimi i stresit
Stresi i vazhdueshëm ndikon negativisht në trup dhe mendje. Teknikat e relaksimit, aktiviteti fizik, meditimi dhe kërkimi i ndihmës profesionale kur është e nevojshme ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit mendor.
Ekspertët e Stanfordit theksojnë se sa më herët të ndërtohen këto zakone, aq më i madh është përfitimi për shëndetin në të ardhmen.


