Laboranti me iniciale A.S. është pezulluar nga puna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, pasi ka kërkuar ryshfet për kryerjen e analizave. I njëjti dyshohet se i ka dërguar mostrat e gjakut në një ordinancë private.
Rasti është konfirmuar nga Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Ferizajt, Besnik Berisha. Ai ka bërë të ditur se kjo drejtori në bashkëpunim me Njësitin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, kanë hetuar dhe e kanë zënë në flagrancë zyrtarin e laboratorit dhe i njëjti është pezulluar menjëherë nga Drejtori i QKMF-së, shkruan Gazeta Shneta.
“Ky zyrtar ka qenë në Komision Disiplinor edhe në vitin 2015, por me ndërhyrjen e pushtetit të asaj kohe nuk i është përgjigjur ftesës së komisionit dhe është rikthyer sërish në punë”, ka deklaruar Berisha.
“Është një urdhëresë e kryetarit që mostrat e gjakut të mos dalin nga QKMF në ordinancat privat dhe anasjelltas dhe në këtë rast dyshohet që ky person i ka përdorur pajisjet e QKMF-së ndërsa mostrat e gjakut i ka dërguar në ordinancë privat. Rasti ka të bëjë me një rast social të cilit i janë kërkuar edhe para ryshfet dhe paratë janë dhënë dhe është zbuluar rasti dhe është pranuar”, ka thënë Berisha.
Ai ka bërë të ditur se laboranti është pezulluar me 50 për qind të pagës së tij. /Gazeta Shneta/