Një pilulë zakonisht e përdorur për artritin reumatoid dhe alopecinë mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të diabetit tip 1, sipas një studimi të ri.
Baricitinibi ruajti në mënyrë të sigurt prodhimin e insulinës së trupit tek personat me diabet tip 1 të sapodiagnostikuar, raportuan studiuesit në takimin vjetor të Shoqatës Europiane për Studimin e Diabetit në Vjenë.
Kur pacientët ndaluan marrjen e baricitinibit pas 48 javësh, funksioni i qelizave beta u dobësua, prodhimi i insulinës u ul dhe nivelet e sheqerit në gjak u destabilizuan.
Baricitinibi vepron duke shtypur sinjalet imune që sulmojnë qelizat beta të pankreasit, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e insulinës, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 91 persona, mosha 10–30 vjeç, të diagnostikuar brenda 100 ditëve të fundit me diabet tip 1. Ata u caktuan rastësisht për të marrë baricitinib ose placebo për 48 javë.
Rezultatet treguan se pacientët që morën baricitinib ruajtën funksionin e qelizave beta, patën më pak fluktuacione të sheqerit në gjak dhe u ul nevoja për insulinë.
Pas ndalimit të trajtimit, kontrolli i sheqerit ra dhe nevoja për insulinë u barazua me grupin placebo pas javëve 72 dhe 96. Baricitinibi dallon si opsion premtues sepse merret oral, tolerohet mirë edhe tek fëmijët e rinj dhe tregon efikasitet të qartë.
Studiuesit sugjerojnë se kërkohen prova më të mëdha për të përcaktuar nëse përfitimet mund të mbahen gjatë shumë viteve dhe nëse trajtimi në faza të hershme mund të parandalojë ose vonojë diagnozën klinike. Nëse suksesi vazhdon, baricitinibi mund të miratohet për trajtimin e diabetit tip 1 brenda pesë vjetësh. /Gazeta Shneta/


