Pirja e duhanit dëmton indet e ndjeshme të syrit dhe rrit rrezikun për degjenerim makular dhe glaukoma, sëmundje që mund të çojnë në humbje të pakthyeshme të shikimit. Kimikatet toksike të tymit hyjnë në gjak dhe dëmtojnë retinën, thjerrëzën dhe makulën, duke shkaktuar inflamacion dhe ngushtim të enëve të vogla të gjakut. Kjo ndikon në qarkullimin normal dhe mund të dëmtojë nervin optik.
Sipas Dr. Gregg Feinerman, edhe pas ndalimit të duhanit, dëmet në retinë mbeten, pasi qelizat dhe enët e vogla të gjakut nuk rigjenerohen lehtë. Kjo mund të përshpejtojë kalimin nga forma e thatë në atë të lagësht të degjenerimit makular, që është më e rrezikshme, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Edhe duhani pasiv është i dëmshëm: ekspozimi ndaj tymit, madje edhe nga një cigare në ditë, mund të dëmtojë enët që furnizojnë retinën me gjak, sidomos tek fëmijët. Pirja gjatë shtatzënisë mund të dëmtojë zhvillimin e nervit optik të fetusit, duke rritur rrezikun për verbëri dhe lindje të parakohshme.
Sipas Dr. Taariq Mohammed nga Universiteti i Maryland-it, gjenetika ndikon deri në 70% të rasteve të degjenerimit makular, por pirja e duhanit rrit ndjeshëm rrezikun, pavarësisht prirjeve gjenetike.
Edhe cigaret elektronike mund të kenë pasoja: nikotina rrit tensionin e gjakut dhe kimikatet që lëshohen gjatë avullimit shkaktojnë stres oksidativ dhe inflamacion në indet e syrit.
Studimet tregojnë se përdoruesit e cigareve elektronike kanë më shumë sy të thatë dhe cilësi më të dobët të lotëve.
Ekspertët theksojnë se ndalimi i duhanit në çdo moshë mund të ulë ndjeshëm rrezikun. Për ruajtjen e shikimit rekomandohet kontroll vjetor i syve, aktivitet fizik i rregullt dhe një dietë e pasur me antioksidantë, peshk dhe perime jeshile. /Gazeta Shneta/


