Pas një autobusi të aksidentuar në rrugën Istog – Pejë, përgjatë të cilit janë duke u trajtuar 24 pacientë nga Ferizaj, Ali Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë, i cili po qëndron në Spitalin Rajonal, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen për Gazetën Online Insajderi.
Berisha ka thënë se pas aksidentit ku mbetën të lënduar 24 persona, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Ai ka thënë se udhëtarët kanë pësuar disa frakturave të ndryshme, si thyerje të nofullave.
“Kanë qenë qytetarë të Ferizajt që kanë qenë duke u kthyer nga Istogu në Pejë, nga një ekskursion dhe ka ndodhë aksidenti në vendin e quajtur ‘Dydesh’ dhe aty janë lënduar 24 udhëtarë, janë drejtuar në Spitalin e Pejës. Disa qytetarë kanë pësuar fraktura të ndryshme të ekstremiteteve si dhe ka që kanë thyerje të nofullave”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Berisha më tej po ashtu ka treguar se udhëtarët në këtë autobus ishin nga organizatat e grave, ku sipas tij ishin duke u kthyer nga një ekskursion.
“Të gjithë janë trajtuar në spital si dhe të gjithë janë shpërndarë në repartet e spitalet, një pjesë të tyre i është nevojitet intervenim ortopedik, disa intervenime kirurgjike dhe janë të vendosur në repartet përkatëse”.
“Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetë, janë ekipet profesionale të spitalit të Pejës dhe besojmë që spitali i Pejës ka treguar një gatishmëri profesionale. Të rritur janë kryesisht janë, sipas informacioneve që i patëm të organizatave të grave dhe fatkeqësisht ka ndodh ky aksident”, ka deklaruar Berisha.