Policia e Kosovës ka deklaruar për Gazeta Shneta se pas hetimeve të kryera, nuk është vërtetuar dyshimi për keqpërdorime në konkursin e SHSKUK-së për infermierë
Konkursi i fundit për staf të mesëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, shkaktoi shumë pakënqësi dhe dyshime për ryshfet e keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Një kandidate për mami në Klinikën e Gjinekologjisë, akuzoi Dr. Jakup Ismajlin se i ka kërkuar para për ta pranuar në punë.
Pas këtyre akuzave, Drejtoria e SHSKUK-së kërkoi hetime nga Policia e Kosovës. Departamenti për krime ekonomike dhe korrupsion ka intervistuar personat e përfshirë dhe kandidatët, të cilët më vonë edhe i tërhoqën deklaratat e dhëna për KTV-në, duke mohuar kështu se Ismajli iu ka kërkuar para.
Policia e Kosovës në një deklaratë për Gazeta Shneta thotë se nuk është vërtetuar dyshimi për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare apo Autoritetit”.
“Policia e Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve paraprake konkretisht duke ju referuar të gjitha shkresave të lëndës dhe dokumentacionit relevant, nuk është vërtetuar dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale ‘Keqpërdorim të Pozitës Zyrtare apo Autoritetit’ nga neni 422 i KPPRK-ës”, thuhet në përgjigje.
Policia në konsultim edhe me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka dërguar lëndën e kompletuar me raport të veçantë, në Prokurorinë kompetente–Departamenti i Krimeve te Rënda, për shqyrtim dhe procedim të mëtejshëm të lëndës. /Gazeta Shneta/