Një poliklinikë në Prizren është hapur para disa javësh ende pa e marr licencën nga Ministria e Shëndetësisë. Madje në këtë institucion u lëshua raport mjekësor në ditën kur u vizitua nga komisioni vlerësues për licencim i MSh-së
Komisioni për licencim i Ministrisë së Shëndetësisë shkoi për vlerësim në Poliklinikën “Salus” në Prizren më datën 24 korrik të këtij viti. Por në fakt kjo poliklinikë veçse kishte filluar punën me pacientë, shkruan Gazeta Shneta.
Madje në të njëjtën ditë kur u vizitua nga komisioni, aty u kontrollua një pacient raportin e të cilit e posedon Gazeta.

“Institucioni shëndetësor Poliklinika ‘SALUS’ me themelues Qerim Shehu në Prizren ka aplikuar me datë 20.07.2023, ndërsa në bazë të formularit nga komisioni regjional ky institucion është vlerësuar me datë 24.07.2023 dhe sipas listës ky institucion do të shqyrtohet në takimin e radhës të Bordit për Licencim të IPSh”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë.
Por pikërisht më datën 24.07.2023 në këtë institucion është kontrolluar pacienti nga mjeku Qerim Shehu, i cili është themelues i kësaj poliklinike.
Raportin e pacientit Gazeta ka ia dërguar edhe Inspektoratit Shëndetësor si dëshmi për punën e këtij institucioni ende pa u licencuar nga MSh. Kjo e fundit ka thënë se do të merren me rastin.
Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga poliklinika “Salus” përmes dy adresave elektronike, por nuk kanë kthyer përgjigje as pas dy javësh. /Gazeta Shneta/




