Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vendosjen e pagesës ditore për familjarët dhe përcjellësit e pacientëve në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme.
Sipas PRAK, përcjellësi nuk mund të konsiderohet thjesht vizitor, pasi shpesh është pjesë e domosdoshme e kujdesit ndaj pacientit.
Familjarët ndihmojnë në sigurimin e barnave dhe analizave jashtë institucionit publik, ushqyerje, higjienë, mobilizim dhe mbështetje emocionale, veçanërisht për fëmijët, pacientët e moshuar, kronikë apo me kufizime funksionale.
“Vendosja e një pagese për këtë rol krijon barrë shtesë për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që vet sistemi e konsideron të nevojshëm.” thuhet në njoftimin e PRAK.
PRAK vlerëson se sfidat infrastrukturore dhe organizative të spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes politikave të qëndrueshme që forcojnë kapacitetet e personelit, përmirësojnë shërbimet mbështetëse dhe sigurojnë standarde dinjitoze për pacientët.
PRAK i bën thirrje institucioneve që të shqyrtojnë heqjen e kësaj tarife dhe të shtojnë kapacitetet brenda spitalore, duke theksuar:
“Një institucion që dëshiron të punojë drejtë, qasja e tij fillon duke adresuar nevojat e njerëzve për shërbime, e jo duke i sanksionuar ato. Pacienti nuk duhet të ndëshkohet për faktin që ka nevojë për mbështetje.” thuhet në njoftimin e PRAK./Gazeta Shneta/




