Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientëve është një ngjarje e rëndësishme që mbahet çdo vit më 18 prill.
Me rastin e Ditës Evropiane të Pacientëve, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK), organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, organizatat shëndetësore dhe ato të shoqërisë civile. Kjo ditë është shënuar dhe mbajtur në Kosovë që nga viti 2013 nga PRAK, shkruan Gazeta Shneta.
Këtë vit, tematika e kësaj ngjarje u përqendrua te edukimi shëndetësor në shkolla, si një prej bazave kryesore për ndërtimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm shëndetësor. “Sepse kujdesi për shëndetin nuk nis në spital, por në shtëpi, në shkollë dhe brenda vetë komunitetit”, u tha në fjalimin hyrës të PRAK-ut.
Besim Kodra, kryetari i PRAK-ut, ka theksuar rëndësinë e edukimit të hershëm rreth shëndetit në shkolla: “Sot, sistemi ynë shëndetësor është tepër i ngarkuar dhe po vuan barrën e mungesës së parandalimit. Pacientët shpeshherë arrijnë në dyert e institucioneve shëndetësore vetëm kur sëmundja është përkeqësuar, ose kur kërkohet një ndërhyrje urgjente. Kjo nuk është vetëm një sfidë klinike, por edhe një sfidë e edukimit të hershëm për shëndetin.”
Mes tjerash, ai ka thënë se sistemi shëndetësor nuk mund dhe nuk duhet ta mbajë barrën e vetme të mirëqenies së qytetarëve. “Duhet të lëvizim nga një sistem që trajton sëmundjen, në një sistem që mirëmban shëndetin.”
Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Merita Vuthaj, thotë se tema e këtij viti, edukimi shëndetësor në shkolla si pjesë e integruar e kujdesit shëndetësor, është më shumë se një slogan, më shumë se një moto – është një thirrje për veprim, një angazhim për të investuar në të ardhmen, përmes rritjes së vetëdijes.
Qëllimi kryesor i kujdesit të integruar është që pacienti të mos humbasë në sistem, por të përfitojë nga një shërbim i vazhdueshëm, pa ndërprerje dhe pa ndarje mes institucioneve, thotë Vuthaj. “Shkolla është vendi ku formohen jo vetëm mendjet, por edhe shprehitë e njeriut, dhe edukimi shëndetësor i hershëm ndihmon në formimin e një brezi të gjithëinformuar dhe të ndërgjegjshëm për shëndetin e vet dhe të komunitetit”, shton ajo.
Deputetja Fatmire Kollçaku, ka theksuar rolin e dezinformatave dhe keqinformatave në të cilat fëmijët mund të kenë qasje. Ndër të tjera, ajo shtoi se edukimi shëndetësor nuk është vetëm njohja e shëndetit fizik, por edhe njohja për shëndetin mjedisor, emocional dhe mendor, duke parandaluar kështu në mënyrë indirekte edhe dukuritë e bullizmit.
Drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, ka përmendur ndikimin afatgjatë të politikave të integrimit të kujdesit shëndetësor në shkolla si dhe punën e dikastërit të cilën ajo e drejton si dhe politikat e zhvilluara ndërvite dhe bashkëpunimet me Ministrinë e Arsimit.
Znj. Visare Mujko Nimani nga UNFPA – Zyra në Kosovë, theksoi rëndësinë kritike të edukatës për shëndetin seksual dhe riprodhues, duke shtuar se kjo çështje duhet të marrë prioritet në nivel më të gjerë. Sipas Mujko-Nimani, investimi në edukimin e të rinjve rreth çështjeve të shëndetit seksual është thelbësor për përmirësimin e mirëqenies së popullatës dhe për parandalimin e sfidave të mundshme shëndetësore, sociale dhe ekonomike.
Znj. Donjeta Kelmendi nga KOMF thotë se kur flasim për edukimin shëndetësor, mendohet se duhet të promovojmë gjithashtu edhe edukimin për ambientet ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre, që janë shkollat, për pastërinë dhe parandalimin e rrugëve të infeksioneve. Mes tjerash ajo ka shtuar se edukimi shëndetësor në shkolla njihet si një e drejtë ligjore mbështetur në ‘Konventën për të Drejtat e Fëmijëve’, neni 17 dhe 19, të cilat theksojnë të drejtën dhe obligimin për marrjen e informacionit të sigurt dhe për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Drejtori Ekzekutiv i PRAK, Agron Bytyqi, në fjalimin e tij, ka foluar rreth shembujve model që duhet ndjekur në rrugën e integrimit të plotë të kujdesit shëndetësor në shkolla. Ndërgjegjësimi dhe njohuritë mbi stilin e jetës, aktivitetin fizik, higjienën dhe ushqyerjen, do të ndikonin në menaxhimin më të duhur të sëmundjeve kronike jongjitëse, ka thënë ai.
Si përmbyllje e diskutimit, u dha propozim hartimi i një ‘Plani Kombëtar për Edukimin Shëndetësor’, që jo vetëm avancon këtë fushë, por siguron monitorim efektiv të zbatimit të tij. /Gazeta Shneta/




